
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur caktimin e masës së paraburgimit për një muaj ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti, i cili dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa gjyqtarja e procedurës paraprake, pas dëgjimit të palëve dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, e ka konsideruar kërkesën të bazuar.
Sipas njoftimit të gjykatës, Kelmendi dyshohet për veprat penale “Kanosja”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i ikjes, mundësia e ndikimit te dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, duke e konsideruar paraburgimin si masën më të përshtatshme për zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Ndërkohë, palët e pakënaqura kanë të drejtë të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.



