
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga avokatët mbrojtës të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku kërkohej lirimi nga paraburgimi.
“Vendosi: Mospranimin e rekursit te paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj, kundër vendimit nr. 130 (87- 025-191), datë 09.06.2025, te Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.
Veliaj kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg” duke paraqitur edhe një memo, ku i bëhej me dije Gjykatës së Lartë se ai nuk është më kryebashkiak i Tiranës.
Duke cituar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, avokatët i kërkuan Gjykatës së Lartë të marrë në konsideratë faktin se në këto kushte ai nuk mund të ndikojë mbi dëshmitarët dhe vendosë në rrezik asnjë provë.
Ndërkohë, SPAK kërkoi vijimin e arrestit me burg për Veliaj, duke pretenduar se ai ka qenë zyrtar i lartë dhe për këtë arsye ka mundësi që të intimidojë dëshmitarët e çështjes.