
Avokati Genci Gjokutaj ka reaguar pas publikimit në media të një lajmi që fliste për mundësinë e një sulmi iranian ndaj Shqipërisë, konkretisht ndaj kampit MEK në Manzë.
Në një reagim publik, Gjokutaj e cilëson këtë informacion si të rremë, duke theksuar se, sipas ekspertëve, distanca më e afërt mes Iranit dhe Shqipërisë është rreth 2500 kilometra në vijë ajrore dhe se Irani nuk disponon raketë që të përshkojë këtë distancë.
Ai shprehet se lajme të tilla janë publikuar me qëllim përhapjen e panikut në popullatë, çka sipas tij përbën vepër të dënueshme nga legjislacioni penal.
Gjokutaj i bën thirrje Prokurorisë së Republikës që të hetojë rastin si një akt paniksjellës, ndërsa kërkon edhe reagimin e Presidentit të Republikës për të mbledhur me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe për të trajtuar situatën.
Sipas tij, lajme të tilla cënojnë sigurinë kombëtare dhe duhet të dënohen ligjërisht dhe publikisht.
Megjithatë duke renditur faktet kujtojmë se më herët gjatë ditës ishte Ministria e Jashtme e Izraelit që publikoi kapacitetin e raketave iraniane për të mbërritur në Europë ndërsa kërcënimi ndaj Manzës nuk është hera e parë që artikulohet nga Irani.




