U fut me automjet në breg të detit dhe qarkulloi mes pushuesve, duke iu rrezikuar jetën, Policia identifikoi drejtuesin dhe e ndëshkoi me masë administrative 60 000 lekë.
Menjëherë pas publikimit në portalin “JOQ” të një video-je në të cilën shfaqet një shtetas duke lëvizur me automjet, përgjatë bregut të detit, në Kune-Vain, Policia Rrugore e Lezhës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore këtë shtetas.
Si rezultat, u identifikua dhe shoqërua në komisariat, së bashku me automjetin me të cilin shfaqet në video, shtetasi E. P., 25 vjeç, banues në Kurbin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, për shkelje të neneve 7/12, 99/11, 173/2/h dhe 196/1 të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton median dhe qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive, në numrin pa pagesë 112. Policia e Shtetit ju garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.