Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për heqjen e masës së sigurimit që e pezullon nga ushtrimi i funksioneve publike.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, më 13 mars 2026 Balluku paraqiti një kërkesë për “revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues ‘pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’”.

Kjo masë ishte vendosur ndaj saj me vendimin nr.118, datë 19 nëntor 2025, nga Gjykata e Posaçme.

Në kërkesën e depozituar, Balluku kërkonte gjithashtu konstatimin e shuarjes ose rënies së kësaj mase sigurimi, e cila përfshin pezullimin nga funksionet e larta shtetërore si zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi është marrë në bazë të neneve 112, 260/1, 262/2 dhe 267 të Kodit të Procedurës Penale dhe mban numrin 229, datë 13 mars 2026.

Gjykata sqaroi se ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve nga dita e njoftimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu