
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë që e shpalli të pafajshëm kryebashkiakun e Devollit Eduard Duro.
SPAK kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakut socialist me 1 vit burg për shpërdorim detyre, që të konvertohej në 3 vite shërbim prove si dhe me dënimin plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.
Të njëjtin dënim prokurori Dritan Prençi kërkoi edhe për 4 zyrtarët e tjerë, përkatësisht Astrit Seferkolli, Gazment Haxhia, Gazment Mali dhe Vosjava Bregu
Por GJKKO vendosi të rrëzojë SPAK teksa ky i fundit ankimoi vendimin në Apel.
Duro ishte marrë zyrtarisht i pandehur nga prokuroria e posaçme, dhe akuzohej se licencoi një biznes, pikë karburanti në Bilisht, që ishte ndërtim pa leje.
Hetimi i SPAK erdhi pas një kallëzimi të depozituar nga një subjekt tjetër.
Veç Duros, u hetuan edhe 4 punonjës të Bashkisë së Devollit, mes tyre specialistë të taksave dhe sekretari i përgjithshëm i Bashkisë.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Tereza Merkaj (anëtare) dhe Nertina Kosova (anëtare), më datë 06.05.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 25 akti, datë 26.03.2025 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 14, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
Deklarimin e pafajshme të të pandehurës Vojsava Bregu, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Eduard Duro, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Astrit Seferkolli , për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Gazmend Haxhija , për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25, të Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Gazmend Malo, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, pasi në bazë të nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, “fakti nuk përbën vepër penale”.
Shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak, në shumën ** lekë dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkangjitur i ngarkohen shtetit, pasi të pandehurit u deklaruan të pafajshëm sipas nenit 388 pika 1 gërma b) e K.Pr.Penale, se “fakti nuk përbën vepër penale”.
Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 14, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar./oranews