Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen ndaj deputetit Plarent Ndreca dhe 15 të pandehurve të tjerë. Ndreca akuzohet për abuzim me tenderat gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Sipas akuzës, Ndreca, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të ministrisë, ka favorizuar Gjon Radovanin si përfitues të tenderit për rikonstruksionin e katër komisariateve. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) pretendon se Ndreca dhe zyrtarët e tjerë e kanë privilegjuar Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit dhe, përfundimisht, kanë shpallur fitues kompaninë Derbi-E shpk, e cila nuk përmbushte kriteret ligjore për të marrë tenderin.

Sipas dosjes, Radovani, i cili ka pasur lidhje miqësore me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ka përfituar nga njohjet dhe lidhjet me titullarin e ministrisë, duke siguruar tendera edhe për projekte të tjera. Hetimet zbuluan gjithashtu se Radovani, që ka qenë konsulent në Ministrinë e Brendshme për këtë tender, ka shkëmbyer emaile me Plarent Ndrecën, ku diskutoheshin detaje për rikonstruksionin e komisariateve në Vlorë, Pogradec dhe Mirditë.

Dosja tani është kaluar për gjykim, dhe të pandehurit do të përballen me akuzat e ngritura.

/vizionplus.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu