
Gjirokastra po përballet me orë të vështira si pasojë e reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë qytetin gjatë gjithë ditës së sotme, veçanërisht në orët e mbrëmjes. Autoritetet vendore raportojnë rritje të rrezikut nga grumbullimet e ujit dhe problematika në disa zona urbane.
Përmes një njoftimi publik, kryebashkiaku Flamur Golemi u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, duke theksuar se siguria e jetës së njerëzve është prioritet absolut. Ai apeloi për kujdes maksimal dhe bashkëpunim me strukturat e emergjencave.
Në rast nevoje për ndihmë, qytetarët ftohen të kontaktojnë menjëherë numrin e emergjencave 112. Sipas bashkisë, strukturat lokale dhe qendrore të emergjencave ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim parandalimin e pasojave dhe minimizimin e dëmeve materiale.
Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar deri në përmirësimin e kushteve të motit.







