
Një oficer i Policisë së Vlorës është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pasi u konstatua duke drejtuar automjetin në mënyrë të parregullt dhe nën ndikimin e alkoolit.
Inspektori H. I., me detyrë oficer i Komisariatit të Vlorës, u denoncua nga një person, i cili kishte telefonuar sallën operative dhe kishte thënë se dy policisë, e kishin ndaluar në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’ dhe se ishin prezantuar me një sjellje aspak etike.
Për efektivin tjetër që e shoqëronte, është proceduar hetim disiplinor.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor H. I., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pas telefonatës së një shtetasi në sallën operative mbrëmjen e djeshme, i cili pretendon se dy punonjës policie e kanë ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u prezantuar me një sjellje jo etike. Pas verifikimit me testin matës së alkoolit, punonjësi H. I., ka rezultuar pozitiv në masën 0.82 mg/l.
Ndaj punonjësit të policisë E. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, do të vijojë procesi i hetimit disiplinor.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al./shqiptarja







