Shkencëtarët në Spanjë kanë zbuluar gjurmën më të vjetër të plotë të një gishti njerëzor në një gur që ngjan me një fytyrë njerëzore – duke nxitur hipotezën se Neandertalët ishin të aftë të krijonin art simbolik.

Sipas hulumtuesve, një mashkull Neandertal mund të ketë zhytur gishtin në pigment të kuq për të pikturuar një “hundë” në një gur rreth 43,000 vjet më parë. Ky objekt u zbulua në strehën shkëmbore të San Lázaro, në Segovia të Spanjës.

“Pozicioni strategjik” i pikës së kuqe në qendër të gurit ka bërë që shkencëtarët ta interpretojnë si dëshmi të sjelljes simbolike të Neandertalëve – një tregues i aftësisë së tyre për të menduar në mënyrë abstrakte.

Profesorja María de Andrés-Herrero nga Universiteti Complutense në Madrid tha për BBC se gërmimet nisën pesë vite më parë, ndërsa në vitin 2022, studiuesit zbuluan gurin poshtë 1.5 metrave sedimentesh.

“Në fillim nuk mund ta besonim atë që po shihnim – ishte një gur më i madh se të tjerët në vendin e gjetjes, me një pikë të kuqe në mes, që ngjante me një fytyrë njerëzore,” tha ajo.

Fillimisht nuk ishte e qartë nëse pigmenti ishte okër (pigment natyral nga toka), por pas analizave me spektër të gjerë, të realizuara me ndihmën e policisë shkencore spanjolle, u konfirmua se bëhej fjalë për pigment të aplikuar me qëllim – dhe u identifikua një gjurmë gishti.

Sipas analizës, gjurma i përkiste një të rrituri mashkull. Megjithatë, bashkautori i studimit, arkeologu David Álvarez Alonso, paralajmëroi se mungesa e të dhënave të tjera për gjurmët e Neandertalëve e bën të pamundur një identifikim absolut.

Zyrtari spanjoll Gonzalo Santonja, në një konferencë për shtyp, deklaroi se kjo është “objekti më i vjetër i lëvizshëm i pikturuar në kontinentin evropian dhe i vetmi objekt i artit të lëvizshëm i pikturuar nga Neandertalët”.

Sipas Prof. Herreros, kjo është hera e parë që zbulohet një objekt i tillë në një kontekst arkeologjik të lidhur qartë me Neandertalët. Fakti që gjurma e gishtit u gjet në një kontekst jo-utilitar, tregon se pika e kuqe në gur ishte vendosur për qëllime artistike.

“Një nga Neandertalët mund ta ketë gjetur këtë gur – që ndoshta i tërhoqi vëmendjen për shkak të çarjeve të tij – dhe ka bërë qëllimisht një shenjë me pigment okër në qendër të objektit”, tha Prof. Alonso për agjencinë Europa Press.

Shkencëtarët theksojnë se pigmenti i kuq nuk gjendet natyrshëm në strehën e San Lázaros, gjë që tregon se ai u soll qëllimisht aty – duke përforcuar tezën e krijimit të qëllimshëm artistik.

Studimi i publikuar në revistën Archaeological and Anthropological Sciences përmbyllet me vlerësimin se: “Guri nga strehimi shkëmbor i San Lázaros paraqet një sërë karakteristikash që e bëjnë të jashtëzakonshëm – dhe mund të konsiderohet si simbol vizual dhe art i lëvizshëm në disa kontekste.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu