
Gjermania ka mbështetur propozimin e Komisionit Europian që fondet e ardhshme të Bashkimit Europian të kushtëzohen me kryerjen e reformave nga vendet përfituese, një qasje që pritet të përshkallëzojë tensionet me vendet më të varfra të bllokut në Jug dhe Lindje.
Në një dokument zyrtar të siguruar nga Euractiv, qeveria gjermane thekson se në buxhetin shumëvjeçar 2028-2034, aksesimi i një pjese të konsiderueshme të fondeve duhet të lidhet me përmbushjen e “pikave kyçe” në agjendat kombëtare të reformave. Kjo do të ndikojë veçanërisht fondet e kohezionit, që përbëjnë rreth një të tretën e buxhetit total të BE-së dhe kanë për qëllim mbështetjen e rajoneve më të pazhvilluara të Unionit.
“Qasja duhet të bazohet në performancë dhe të ofrojë stimuj të fortë për reformat kombëtare”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Berlinit, i cili referon si shembull Fondin e Rimëkëmbjes post-COVID, ku pagesat ndaj shteteve u bënë vetëm pas përmbushjes së reformave të miratuara nga Brukseli.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë si “nxitësin më të fuqishëm për të përmbushur angazhimet”.
Por kjo qasje ka ngjallur kundërshtim të hapur nga disa vende të BE-së, sidomos ato të Lindjes dhe Jugut, që e shohin kushtëzimin e fondeve me reformat si një penalizim të pabarabartë.
Gjermania refuzon të rrisë kontributin në buxhet
Në të njëjtin dokument, Gjermania – kontributori më i madh në buxhetin e BE-së me rreth 25% të totalit – ka përjashtuar çdo mundësi për rritje të pagesave të saj në buxhetin shumëvjeçar prej 1.2 trilionë eurosh. “Nuk ka bazë për të rritur volumin e MFF në raport me fuqinë ekonomike”, thuhet në dokument, duke iu referuar kuadrit shumëvjeçar financiar të BE-së (MFF).
Megjithë sfidat e jashtëzakonshme si kërcënimi në rritje nga Rusia, Berlini kërkon që BE dhe vendet anëtare të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen dhe sigurinë, përmes bashkërendimit të kërkesave dhe nxitjes së zhvillimeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes.
Buxheti për bujqësinë, Gjermania kundër reformave radikale
Sa i përket Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), Gjermania kërkon që kjo të mbetet një fushë e pavarur politike dhe kundërshton propozimet më reformuese të Komisionit. “Zhvillimi rural duhet të mbetet pjesë integrale e CAP-it”, theksohet në qëndrim.
Ndërkohë që një grup prej 20 shtetesh të BE-së ka kërkuar ruajtjen e strukturës aktuale të politikës bujqësore, Gjermania ka refuzuar t’i bashkohet kësaj nisme.
Komisioni Europian pritet të paraqesë propozimin zyrtar për buxhetin shumëvjeçar në dy faza, më 16 dhe 23 korrik.