Autoritetet gjermane kanë arrestuar një shtetas libanez, të dyshuar si anëtar i Hamasit, nën akuzën e përfshirjes në planifikimin e sulmeve ndaj institucioneve hebraike dhe izraelite në Evropë.

Sipas prokurorëve federalë, i arrestuari, i identifikuar si “Mohammad S”, u ndalua mbrëmjen e së premtes në aeroportin Brandenburg të Berlinit, menjëherë pas mbërritjes nga Bejruti. Autoritetet thonë se në gusht të vitit 2025, ai dyshohet se ka ndihmuar në sigurimin e 300 fishekëve municion dhe ka qenë i përfshirë në një plan të mundshëm sulmi.

Mohammad S pritet të dalë para një gjyqtari federal, i cili do të vendosë nëse do të mbahet në paraburgim.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me “Abed Al G”, një nga tre personat e arrestuar në tetor të vitit të kaluar në Gjermani, gjithashtu të dyshuar si anëtarë të Hamasit, lidhur me plane për sulme ndaj institucioneve hebraike dhe izraelite. Tre të dyshuarit u arrestuan, sipas mediave gjermane, gjatë një takimi për dorëzimin e armëve në Berlin. Dy prej tyre janë shtetas gjermanë, ndërsa një tjetër shtetas libanez.

Në të njëjtën periudhë, policia zhvilloi kontrolle edhe në qytetet Leipzig dhe Oberhausen, raportoi revista gjermane Der Spiegel.

Më herët, në nëntor, autoritetet gjermane kishin arrestuar edhe një tjetër shtetas libanez, të dyshuar si anëtar i Hamasit, pranë kufirit me Republikën Çeke.

Hamasi, i cili kontrollonte Rripin e Gazës por është dobësuar ndjeshëm nga operacionet ushtarake izraelite, konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli dhe shumë vende të tjera. Grupi militant palestinez kreu sulmin ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023, i cili shënoi një përshkallëzim të rëndë të konfliktit në rajon.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu