26 Gusht 2025 – Rasti i Sven Liebich, 55 vjeç, një figurë e njohur neonaziste dhe me qëndrime të hapura homofobe e transfobe, ka ndezur një polemikë të fortë politike në Gjermani. Liebich, i cili në dhjetor 2024 ndryshoi ligjërisht gjininë duke marrë emrin Marla-Svenja Liebich, më 29 gusht do të hyjë për të vuajtur një dënim prej 18 muajsh në burgun e grave në Chemnitz, për akuza që përfshijnë nxitje të urrejtjes, shpifje dhe fyerje.

Procesi i ndryshimit të gjinisë, i bërë me një deklaratë dhe një pagesë prej 50 eurosh sipas ligjit të ri për vetëpërcaktimin, ka ngritur shqetësime për abuzime të mundshme. Vetë Liebich ka pranuar publikisht se do ta përdorë këtë rast si formë proteste ndaj reformës ligjore që hyri në fuqi në nëntor 2024.

Në Gjermani, ligji lejon qytetarët të ndryshojnë gjininë e regjistruar një herë në vit, thjesht me një aplikim dhe pagesë administrative. Kritikët e shohin këtë si një dobësi që mund të hapë derën për raste të ngjashme me atë të Liebich.

Deputetë të CDU dhe CSU kanë kërkuar ndryshimin urgjent të ligjit, duke e cilësuar rastin si shembull tipik të abuzimit. Alexander Hoffmann i CSU tha se ligji “nuk mund të mbetet në këtë formë”, ndërsa Günter Krings sugjeroi që vendosja në burg të bëhet në bazë të seksit biologjik dhe jo juridik. Ndërkohë, deputeti Christoph Ploss ka kërkuar shfuqizimin e plotë të ligjit, duke paralajmëruar rrezik për hapësirat e mbrojtura për gratë.

Prokuroria ka njoftuar se para hyrjes në burg, Liebich do t’i nënshtrohet një vlerësimi për sigurinë dhe rendin e brendshëm, duke lënë hapur mundësinë për një zhvendosje në rast nevoje.

Rasti ka ndezur debatin publik mbi balancën mes të drejtave të personave trans dhe mbrojtjes nga abuzimet ligjore, duke e kthyer çështjen në një test të madh për politikën gjermane.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu