Gjergj Kastrioti “rikthehet në shtëpi”, vendoset në Lezhë shtatorja e heroit kombëtar
Figurës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbe, i është shtuar edhe një tjetër statujë monumentale në qytetin e Lezhës.

Pas 7 vitesh pritjeje, vepra e skulptorit Ardian Pepa doli nga magazina dhe u vendos në lulishten përballë vendvarrimit të heroit kombëtar.

Skulptori thotë se përmes kësaj shtatoreje, Gjergj Kastrioti paraqitet në momentin kur është kthyer nga Turqia dhe mblodhi princat shqiptarë, më 2 mars 1444.

“Vepra është menduar të jetë përballë Memorialit, që të kenë një harmoni me të. Është momenti kur Skënderbeu erdhi nga Turqia, në datën e shënuar, 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës,” shprehet z. Pepa.

Duke iu referuar kësaj shtatoreje, përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi, thotë se në këtë mënyrë Gjergj Kastrioti “rikthehet në shtëpinë e tij”.

“… në qytetin e tij të dashur, në Lezhën e tij, ku lidhen dy ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij: Besëlidhja e Lezhës dhe vdekja e varrosja këtu, përderisa e ka zgjedhur si banesë të fundit dhe hodhi themelet e para të shtetit të mirëfilltë shqiptar, arbër,” tregon z. Zefi.

Shtatorja e Gjegj Kastriotit në Lezhë ishte planifikuar të vendoset në vitin 2019 në sheshin që mban emrin e heroit, por sipas Ministrisë së Kulturës, zona në fjalë ishte pjesë e parkut arkeologjik dhe nuk mund të hidhej beton për vendosjen e tij./rtsh

 

/rtsh.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu