Nga Ervin Resuli
Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, dikur shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, ka hyrë në një fazë kritike. Të dhënat e INSTAT për vitin 2023 tregojnë një rënie prej 0.68% të sektorit të bujqësisë, një nga goditjet më të mëdha që nga viti 1997. Ky regres është reflektim i një dekade të mbushur me rënie të vazhdueshme dhe mungesë të mbështetjes efektive shtetërore.
Deklarata e Ministrisë së Bujqësisë për buxhetin e vitit 2025 si “sukses” është një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga problemet e vërteta. Krahasimi i vitit 2025 me vitin 2013 është i paqëndrueshëm dhe i pavend. Nëse krahasimi bëhet duke injoruar inflacionin dhe kursin e euros, e cila në vitin 2013 ishte 140.89 lekë, atëherë çdo pretendim për progres real bie. Inflacioni kumulativ gjatë këtyre 12 viteve e bën rritjen e supozuar një iluzion financiar.
Rënia e numrit të krerëve në blegtori gjatë dekadës së fundit është një tjetër tregues alarmues. Në vitin 2022, sektori i blegtorisë shënoi një ulje vjetore prej 13%, ndërkohë që krerët u përgjysmuan gjatë dekadës. Ndërkohë, fermerët shqiptarë marrin subvencione simbolike prej vetëm 98 euro për kokë lopë, ndërsa në Serbi shifra shkon në 365 euro, shto dhe mbështetjen për litër qumështi. Ky hendek e ka detyruar industrinë shqiptare të qumështit të mbështetet në importe, duke rritur presionin mbi blegtorët vendas dhe duke i çuar shumë prej tyre drejt falimentimit.
Në vend që të adresojë këto probleme, ministria po përfshihet në një debat të shterpë për “rritjen” e buxhetit, një buxhet që realisht nuk arrin të mbështesë sektorin. Nëse krahasimet e ministres Anila Denaj me vitin 2013 janë të qëndrueshme vetëm në aspektin numerik, ato shpërfillin totalisht realitetin e sotëm, ku Serbia dhe vendet fqinje kanë kapërcyer Shqipërinë në eksportet bujqësore dhe mbështetjen për fermerët.
Kjo situatë tregon një mungesë të qartë strategjie dhe lidershipi, duke kthyer sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë në një gjendje të ngjashme me atë të viteve 1997, kur shteti ishte pothuajse inekzistent. Për të përmirësuar këtë sektor jetik, nevojitet një ristrukturim i plotë i politikave bujqësore, rritje reale e subvencioneve, dhe ndalimi i korrupsionit në administrimin e fondeve të BE-së, si ato të programit IPARD.
Pa një ndërhyrje të tillë, bujqësia dhe blegtoria në Shqipëri do të mbeten peng i dështimeve politike, ndërsa fermerët dhe blegtorët do të vazhdojnë të përballen me sfida të pakapërcyeshme. Për të shpëtuar sektorin, duhet të largohemi nga retorika boshe dhe të veprojmë me vendosmëri.-shkruan Resuli.
yacht hotel sarande

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu