
Pas dy ditësh ankthi dhe kërkimesh të pandërprera, mesditën e sotme është gjetur i pajetë 91-vjeçari Spiro Guveli, banor i fshatit Dhivër.
I moshuari, i cili prej vitesh jetonte i vetëm pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, kishte humbur kontaktet me familjarët dhe fqinjët që prej datës 9 shkurt. Dy fëmijët e tij jetojnë në emigracion në Greqia, ndërsa në fshat ai njihej si një njeri i qetë që rrallë largohej nga shtëpia. Mungesa e tij e pazakontë ngriti alarmin tek banorët, të cilët njoftuan autoritetet.
Menjëherë pas sinjalizimit, nisi operacioni i kërkim-shpëtimit nga shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Finiq, me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe banorëve të zonës. Pas kërkimeve intensive, trupi i pajetë u gjet në përroin e fshatit.
Në vendngjarje u kryen veprimet procedurale nga ekspertët e policisë, ndërsa shërbimi zjarrfikës transportoi trupin deri në rrugë për t’u dërguar me ambulancë për procedurat e mëtejshme.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se vdekja mund të ketë qenë natyrale, ndërsa fakti që i moshuari kishte qëndruar për dy ditë jashtë mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.
Largimi i Spiro Guvelit ka trishtuar banorët e Dhivrit, ku ai kishte kaluar gjithë jetën. Një tjetër histori vetmie që mbyllet në heshtje, duke lënë pas dhimbje dhe kujtime.






