
Dana Eden, producente dhe ideatore izraelite e serialit të njohur televiziv “Tehran”, është gjetur e vdekur në moshën 52-vjeçare gjatë xhirimeve të sezonit të katërt në Greqi. Lajmi është konfirmuar nga mediat izraelite.
Sipas raportimeve të mediave greke, Eden u gjet pa shenja jete në dhomën e një hoteli në Athinë, ku qëndronte që prej 4 shkurtit. Trupi u zbulua nga i vëllai, ndërsa në qafë dhe në gjymtyrë janë konstatuar mavijosje. Në dhomë janë gjetur edhe disa pilula.

Autoritetet po hetojnë disa pista për të përcaktuar shkakun e vdekjes, përfshirë mundësinë e vetëvrasjes. Ndërkohë, disa media izraelite raportojnë se policia nuk e përjashton as pistën e vrasjes, megjithëse televizioni izraelit Channel 12 e ka cilësuar këtë pretendim si “fake news”.
Policia greke po analizon kamerat e sigurisë së hotelit për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë.



