
Kur u gjet, ishte shumë i vogël, vetëm dhe në kushte të habitshme të mira. Një këlysh rreth katër javësh, i braktisur në mes të pyllit, pa nënën dhe pa asnjë qen tjetër përreth. Personi që e shpëtoi nuk e imagjinonte se përveç historisë së mbijetesës, këlyshi do të sillte edhe një surprizë tjetër: zbulimin e origjinës së tij të vërtetë.

Këlyshi u gjet nga një përdorues i Reddit-it, i cili ndau historinë dhe disa foto në platformë. Sipas veterinerit, ai ishte në një moshë shumë delikate, kur zakonisht këlyshët janë ende plotësisht të varur nga nëna. Megjithatë, i vogli kishte mbijetuar. Pasi u dërgua në shtëpi, ai nisi të rritej normalisht, me një gëzof shumëngjyrësh dhe sy blu që tërhiqnin menjëherë vëmendjen.

Bazuar në pamjen e jashtme, shpëtimtari dhe shumë përdorues online menduan se këlyshi kishte gjak të racës Catahoula Leopard Dog. Për disa javë kjo hipotezë u duk e sigurt, deri sa, rreth javës së dhjetë të jetës, u vendos të kryhej një test ADN-je për qentë. Rezultati befasoi të gjithë. Asnjë gjurmë e racës së dyshuar. Sipas testit gjenetik, këlyshi ishte rezultat i një kryqëzimi mes një Pastore Australian mini dhe një Beagle. Një kombinim i pazakontë, por që shpjegon pamjen e tij unike: shprehje e ëmbël, trup kompakt dhe një kureshtje e pandalshme.

Sot, këlyshi që dikur ishte lënë i vetëm në pyll, fle rehat në divan dhe rritet i sigurt në një shtëpi që e deshi që në momentin e parë. Historia e tij tregon se, ndonjëherë, origjina ka më pak rëndësi se e tashmja: mjafton që dikush të ndalet, të kujdeset dhe një jetë mund të marrë krejt tjetër drejtim.






