Tiranë, 19 Korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot një video në rrjetet sociale, ku tregon përmasat e aksionit të Task-Forcës kundër informalitetit në tregtimin e produkteve ushqimore. Në postimin e tij në Facebook, Rama thekson se vetëm në 6 ditë janë sekuestruar 32 ton produkte, kryesisht qumësht, bulmet dhe mish, që qarkullonin pa faturë tatimore.

“Vijon pa pushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund!”, shkruan Rama.

Videoja e publikuar tregon pamje nga magazinat dhe pikat e kontrollit ku janë ndaluar sasi të konsiderueshme të produkteve të pasigurta dhe pa dokumentacion, duke reflektuar një operacion të shtrirë në disa qarqe të vendit.

Aksioni është pjesë e një fushate të gjerë që synon të formalizojë tregun ushqimor, të garantojë sigurinë e konsumatorëve dhe të godasë ekonominë informale. Strukturat e Tatimeve, AKU-së dhe Policisë së Shtetit janë angazhuar intensivisht në këtë operacion, që sipas kryeministrit, do të vazhdojë “deri në fund” pa kompromis me shkelësit.

Qeveria ka paralajmëruar ndëshkime të rënda për subjektet që tregtojnë mallra pa fatura dhe jashtë kushteve higjieno-sanitare, ndërkohë që qytetarët inkurajohen të denoncojnë çdo rast abuzimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu