
Plani i Giorgia Melonit për të krijuar qendra riatdhesimi për emigrantët në Shqipëri po rezulton jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe deri më tani joefektiv. Megjithatë, politikisht, ai përfaqëson një sukses për kryeministren italiane, thekson gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung.
Siç u zbulua nga një hetim nga platforma hetimore holandeze Folloë the Money, qendra e Gjadrit në Lezhë kushtoi 74.2 milionë euro, e barabartë me 72.5 euro për shtrat, më shumë se njëmbëdhjetë herë më shumë se kostoja e një qendre të ngjashme në Siçili.
Pavarësisht shpenzimeve të tepërta, iniciativa nuk e ka dëmtuar Melonin. Përkundrazi, qëndrimi i saj i ashpër ndaj emigracionit, “tani ka hyrë në rrjedhën kryesore evropiane” dhe projekti po ndiqet me interes nga kryeqytete të tjera, “meqenëse deri më tani asnjë shtet i BE-së nuk ka arritur të hapë qendra azili në një vend të tretë”.
Në samitin e fundit të BE-së, kancelari i ri gjerman Friedrich Merz mori pjesë për herë të parë në një takim informal të thirrur nga Meloni mbi këtë temë, një shenjë se qëndrimet e saj janë gjithnjë e më të përbashkëta.
I ashtuquajturi “model i Shqipërisë” fillimisht parashikonte që emigrantët që mbërrinin në Itali të transferoheshin në qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit për një shqyrtim të përshpejtuar të kërkesave të tyre për azil. Megjithatë, problemet ligjore penguan ndalimin e azilkërkuesve, duke e detyruar qeverinë t’i transformonte qendrat në struktura për regjistrimin dhe riatdhesimin e emigrantëve të refuzuar.
“Meloni e ka shfrytëzuar me zgjuarsi situatën”, vazhdon NZZ. Meloni ka promovuar gjithashtu marrëveshje me Tunizinë dhe Egjiptin për të bllokuar largimet, në këmbim të ndihmës financiare. Këto marrëveshje janë kritikuar ashpër nga OJQ-të dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për shkelje të të drejtave të njeriut.
E megjithatë, shifrat flasin për të: në vitin 2024, mbërritjet ranë me 60 %. “Meloni është bërë aktorja më me ndikim në Evropë për politikat e migracionit”, thotë Luca Barana i Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare. “Modeli shqiptar” e ka forcuar imazhin e saj si një udhëheqëse e vendosur në një Evropë gjithnjë e më të djathtë./(BalkanWeb)