Në pavionet e ndryshme të Spitalit Nasser në Gazë ndodhen dy djem 10-vjeçarë: njëri i qëlluar nga izraelit dhe i paralizuar nga qafa e poshtë, tjetri me tumor në tru.

Pas vendosjes së një armëpushimi të brishtë, ata janë mes rreth 15 mijë pacientëve që, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor.

Ola Abu Said përkëdhel butë flokët e djalit të saj, Amarit. Familja tregon se ai ndodhej në tendën e tyre në jug të Gazës, kur u qëllua nga një plumb i humbur i lëshuar nga një dron izraelit. Plumbi i është ngulur mes dy rruazave të shtyllës kurrizore, duke e lënë të paralizuar.

“Ka nevojë për operacion urgjent”, thotë Ola. “Por është i rrezikshëm mjekët na thanë se mund të shkaktojë vdekje, goditje në tru ose hemorragji cerebrale. Ai duhet të operohet në një spital të pajisur mirë.”

Por sot Gaza nuk është një vend i tillë. Pas dy vitesh lufte, spitalet janë në gjendje kritike. Në dhomën ngjitur, Shahd al-Jadd rri pranë vëllait të saj 10-vjeçar, Ahmedit. Ai ishte mbështetja e familjes gjatë dy viteve të luftës dhe zhvendosjes.

“Kur gjendja jonë u përkeqësua, ai dilte e shiste ujë për të ndihmuar me paratë”, tregon Shahd. Disa muaj më parë, vëllai i saj nisi të shfaqte shenja sëmundjeje.

“Filloi t’i shtrembërohej goja në njërën anë”, thotë ajo. “Një ditë më tha: ‘Shahd, më dhemb koka’, dhe ne i dhamë vetëm paracetamol. Më vonë, krahu i djathtë nuk i lëvizi më.”

Diagnostikimi tregoi një tumor në tru. Shahd, ish-studente universiteti, shpreson që Ahmedi të mund të udhëtojë jashtë për trajtim.

“Nuk mund ta humbasim. Kemi humbur babanë, shtëpinë dhe ëndrrat tona”, thotë ajo. “Armëpushimi na dha pak shpresë ndoshta qoftë edhe 1% që Ahmedi të mund të udhëtojë për t’u kuruar.”

Të mërkurën, OBSh organizoi konvojin e parë mjekësor që u lejua të dilte nga Gaza që prej fillimit të armëpushimit më 10 tetor. 41 pacientë dhe 145 kujdestarë u transferuan për trajtim jashtë vendit përmes pikës kufitare Kerem Shalom në Izrael, për t’u dërguar më pas në spitale në Jordani.

Agjencia e OKB-së ka bërë thirrje që numri i evakuimeve mjekësore të rritet ndjeshëm për t’u ardhur në ndihmë mijëra të sëmurëve dhe të plagosurve. OBSh kërkon gjithashtu që të lejohet përsëri dalja e pacientëve përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin, siç ka ndodhur më parë.

Megjithatë, Izraeli ka deklaruar se do ta mbajë kufirin të mbyllur derisa Hamasi të përmbushë detyrimet e marrëveshjes së armëpushimit, përfshirë kthimin e trupave të pengjeve të vrarë. Pala izraelite mori kontrollin e anës gaziste të kufirit me Egjiptin në maj 2024 dhe e ka mbajtur të mbyllur që atëherë.

Në një konferencë për shtyp të enjten, drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se “masa më e efektshme” do të ishte nëse Izraeli do të lejonte trajtimin e pacientëve nga Gaza në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor siç ndodhte përpara luftës.

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe ministrat e jashtëm të mbi 20 vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, e kanë mbështetur këtë thirrje, duke ofruar ndihmë financiare, staf mjekësor dhe pajisje.

“Hapja e këtij rrugëtimi drejt rrjetit të spitaleve të Jerusalemit Lindor dhe spitaleve të Bregut Perëndimor do të mundësonte trajtimin e qindra pacientëve në mënyrë të shpejtë dhe efikase,” shpjegon Dr. Fadi Atrash, drejtor ekzekutiv i Spitalit Augusta Victoria në malin e Ullinjve.

“Sipas kapaciteteve tona, mund të trajtojmë të paktën 50 pacientë në ditë për kimioterapi dhe radioterapi, ndërsa spitalet e tjera mund të kryejnë shumë operacione”, shton ai.

Zyrtarët izraelitë nuk kanë dhënë ende një përgjigje të qartë pse ky korridor mjekësor nuk është miratuar. Pas sulmeve të 7 tetorit 2023 të udhëhequra nga Hamasi, Izraeli ka përmendur arsye sigurie për të mos lejuar hyrjen e pacientëve nga Gaza në territoret e tjera palestineze.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, deri në gusht 2025 të paktën 740 persona mes tyre afro 140 fëmijë kanë vdekur në pritje të evakuimit mjekësor.

Në Spitalin Nasser, drejtori i pavionit të pediatrisë dhe maternitetit, Dr. Ahmed al-Farra, shpreh zhgënjimin e tij:
“Është ndjenja më e vështirë për një mjek të dijë diagnozën e pacientit, por të mos ketë mundësinë të kryejë analizat apo trajtimin e nevojshëm. Kjo ndodh çdo ditë dhe, fatkeqësisht, po humbasim jetë çdo ditë për shkak të mungesës së pajisjeve dhe ilaçeve”, thotë ai.

Në javën e fundit, në oborrin e spitalit u zhvilluan tre varrime: për Saadi Abu Tahan, 8 vjeç, që vdiq nga kanceri në zorrë; për Zain Tafesh, 3 vjeç, dhe Luay Dweik, 8 vjeç, të cilët humbën jetën nga hepatiti.

Pa veprime konkrete, shumë banorë të tjerë të Gazës nuk do ta kenë mundësinë të jetojnë në paqe./tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu