Rripi i Gazës ndodhet në një krizë të thellë humanitare, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar për rrezikun në rritje të një urie masive. Sipas tij, dy milionë njerëz po vuajnë nga uria.

“Rreziku i urisë në Gaza po përkeqësohet për shkak të ndalimit të qëllimshëm të ndihmës humanitare, përfshirë ushqimet, si pjesë e një bllokade që vazhdon ende,” deklaroi Ghebreyesus gjatë hapjes së Asamblesë Vjetore të Shteteve Anëtare të OBSH-së në Gjenevë.

Ai shtoi se “dy milionë njerëz po vuajnë nga uria, ndërkohë që tonelata ushqimesh qëndrojnë të bllokuara vetëm disa minuta larg, në kufi”.

Pas presionit të madh ndërkombëtar mbi bllokimin e ndihmës humanitare, Izraeli njoftoi dje se do të lejojë rifillimin e kufizuar të saj, ndërkohë që ka nisur edhe operacione tokësore në shkallë të gjerë në Gaza.

Vendimi për të lejuar hyrjen e ndihmës në territorin palestinez, mbi dy muaj pas vendosjes së bllokadës më 2 mars, është konsideruar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu si një hap i vështirë, por i domosdoshëm.

Sipas kreut të OBSH-së, përshkallëzimi i dhunës, urdhrat për evakuim, reduktimi i hapësirës humanitare dhe bllokimi i ndihmës po e çojnë sistemin shëndetësor në kolaps.

“Njerëzit po vdesin nga sëmundje që mund të parandalohen, ndërkohë që ilaçet qëndrojnë të bllokuara në kufi. Sulmet ndaj spitaleve po i privojnë njerëzit nga kujdesi shëndetësor dhe i trembin të kërkojnë ndihmë,” shtoi ai.

Mijëra pacientë në Gaza kanë nevojë të evakuohen për arsye mjekësore, theksoi Ghebreyesus, duke i bërë thirrje shteteve anëtare të pranojnë më shumë të sëmurë për trajtim.

Ai i kërkoi gjithashtu Izraelit të lejojë evakuimin e pacientëve dhe futjen e ushqimeve e barnave në Rripin e Gazës.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar prej javësh për mungesa të rënda në ushqime, ilaçe dhe furnizime bazë në këtë zonë të rrethuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu