Gjashtë palestinezë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga të shtënat izraelite pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në Gazan jugore, ka njoftuar Agjencia e Mbrojtjes Civile e kontrolluar nga Hamasi.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së shtunës, kur një numër qytetarësh ishin mbledhur për të marrë ndihma ushqimore. Sipas një dëshmitari okular, ushtria izraelite hapi zjarr kur turma u përpoq të afrohej drejt qendrës. Ushtria izraelite deklaroi se kishte qëlluar paralajmërime ndaj personave që i konsideronte kërcënues.

Gjatë javës, dhjetëra palestinezë janë vrarë dhe qindra të plagosur duke tentuar të arrijnë në të njëjtën qendër ndihmash. Gaza Humanitarian Foundation (GHF), e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, që menaxhon shpërndarjen e ndihmave, njoftoi ndërprerjen e përkohshme të operacioneve për shkak të mbipopullimit dhe mungesës së sigurisë.

Pavarësisht kësaj, çdo ditë njerëz mblidhen në një rrethrrotullim afër një zone ushtarake izraelite, për të kaluar drejt qendrës së ndihmës. Izraeli paralajmëroi publikisht se zona është aktive në përleshje gjatë natës.

GHF deklaroi se nuk mundi të shpërndante ushqim të shtunën për shkak të kërcënimeve direkte nga Hamasi – pretendim i mohuar nga grupi. Incidenti i fundit pritet të shtojë më tej kritikat ndërkombëtare ndaj sistemit të ri të shpërndarjes së ndihmave, që sipas Kombeve të Bashkuara, i ekspozon palestinezët ndaj rrezikut dhe nuk përmbush nevojat minimale për ushqim dhe ilaçe.

Në një sulm ajror izraelit mbi një banesë në qytetin e Gazës, të paktën 15 persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë ndodhen ende nën rrënoja, sipas zëdhënësit Mahmoud Basal. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte eliminuar udhëheqësin e Brigadave të Muxhahidëve – një grup militant palestinez që dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit.

Po ashtu, ushtria izraelite njoftoi për gjetjen e trupit të një shtetasi tajlandez, Nattapong Pinta, i rrëmbyer gjatë sulmeve të Hamasit, në një operacion të posaçëm në Rafah.

Qendra ku ndodhi incidenti është një nga katër të tilla në Gaza, të drejtuara nga GHF, që prej fillimit të një modeli të ri shpërndarjeje ndihmash pas një bllokade tre mujore. Megjithatë, ky model është përballur me kritika të forta nga organizatat humanitare dhe OKB-ja, e cila e cilëson atë si joefikas dhe të rrezikshëm për civilët.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga nisja e luftës pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, janë vrarë të paktën 54,677 persona./BBC

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu