Situata në Gaza mbetet tejet e tensionuar, edhe pse zyrtarisht palët ndodhen në një armëpushim të brishtë. Sipas mediave izraelite që citojnë burime ushtarake, ushtria izraelite (IDF) konfirmon se numri i të vrarëve në Gaza ka arritur rreth 70 mijë persona, shifër e përafërt me atë të raportuar nga autoritetet shëndetësore të drejtuara ngs Hamas.

Megjithatë, burime të sigurisë izraelite theksojnë se ndarja mes civilëve dhe militantëve është ende në verifikim, ndërsa Izraeli këmbëngul se një pjesë e viktimave janë luftëtarë të armatosur ose persona me probleme të rënda shëndetësore të mëparshme.

Konsultë sigurie në Jeruzalem, në fokus Irani

Kryeministri izraelit  Benjamin Netanyahu ka thirrur një konsultë urgjente për sigurinë me drejtuesit kryesorë të mbrojtjes në Jeruzalem. Sipas Channel 12 dhe Times of Israel, diskutimet lidhen me Iranin dhe mundësinë e një sulmi të kufizuar amerikan, i cili – sipas vlerësimeve – do të fokusohej në objektiva strategjike si programi bërthamor dhe ai raketor, jo në rrëzimin e regjimit.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump raportohet se ndan këtë qasje, duke përjashtuar një ndërhyrje të gjerë ushtarake.

“Faza e dytë” dhe e ardhmja e Gazës

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, ka deklaruar se marrëveshja ka hyrë në fazën e dytë, e cila parashikon krijimin e një qeverie teknokratike arabe për Gazën. Sipas tij, Hamas do të çarmatoset, por kjo deklaratë është kundërshtuar menjëherë nga drejtues të Hamasit, të cilët mohojnë çdo marrëveshje për dorëzimin e armëve.

Nga ana tjetër, Hamasi ka shprehur gatishmërinë për transferimin e administrimit civil të Gazës tek një komitet teknokratik palestinez, duke kërkuar hapjen e plotë të pikës kufitare të Rafahut.

Ndihmat humanitare dhe përplasja me OKB-në

IDF ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të OKB-së për krizë ushqimore, duke publikuar shifra sipas të cilave në Gaza kanë hyrë mbi 112 mijë kamionë ndihma, me ushqime, ilaçe, tenda dhe pajisje mjekësore. Izraeli akuzon OKB-në për politizim të të dhënave, ndërsa organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se situata humanitare mbetet kritike.

Diplomaci intensive në Kajro

Një delegacion i lartë izraelit ka mbërritur në Kajro për bisedime me ndërmjetësit egjiptianë, ku pritet të diskutohet zbatimi i fazës së dytë, administrimi i Gazës pas luftës dhe mekanizmi i shpërndarjes së ndihmave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu