Qeveria po tenton të mbyllë një herë e mirë procedurën e hipotekimit të pronave si në fshat, edhe qytet.

Paralelisht me nxitjen që i ka dhënë këtë vit legalizimit të pronave të ndërtuara pa leje ndër vite, ka nisur një tjetër fushatë, ajo për hipotekimin e pronave të trashëguara, për të vijuar më tej me dhënien e AMTP-ve (Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi). Bëhet fjalë për tokat bujqësore të ish-kooperativave, të cilat duhet të kalojnë në emër të përdoruesve faktikë. Ky është zotimi që artikuloi një ditë më parë Kryeministri Edi Rama nga Himara, pasi shpërndau disa tituj pronësie për shtëpitë e trashëguara, një tjetër zotim ky nga i besuari i kreut të qeverisë në Himarë, Vangjel Tavo.

yacht hotel sarande

TITUJT E PRONESISE

Pas një pritjeje të gjatë, trashëgimtarët e shtëpive në zonat kadastrale me probleme në Himarë morën titullin e pronësisë për banesën e tyre.

“Do të më krijohet mundësia t’u lë diçka fëmijëve, ku kanë lindur dhe janë rritur”, u shpreh një himarjot pasi mori në dorë hipotekën e pronës, që e ka gëzuar faktikisht ndër breza. Dhënia e këtyre titujve ka qenë ndër premtimet e bëra gjatë fushatës së gushtit nga kryebashkiaku Vangjel Tavo dhe tashmë ky proces quhet i përmbyllur.

“Tani do të më kthehet djali dhe do të martohet. Është 40 vjeç dhe kërkonte këtë”, tha një tjetër banor. Megjithatë, puna me pronat nuk ndalet këtu. Kryeministri Rama premtoi se procesi do të vijojë me dhënien e AMTP-ve, “Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi”.

“Me hipotekimin e të gjitha shtëpive të trashëguara ecim përpara me një ritëm tjetër të procesit të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën, do të rrisim edhe më shumë energjinë e të gjithë territorit të bashkisë e të krijojmë premisa më të forta për të pasur një zhvillim gjithëpërfshirës. Duke vijuar me dhënien e këtyre dokumenteve të shumëpritura të shtëpive, më lejoni t’ju garantoj se ashtu siç bëmë realitet së bashku me kryetarin e bashkisë përmbylljen e këtij procesi, do të bëjmë realitet përmbylljen e procesit të AMTP-ve”, nënvizoi kreu i qeverisë, duke e cilësuar punën e bërë deri më tani si themel për forcimin e ekonomisë në zonë.

PROJEKTET

Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi edhe për projektet që do të transformojnë Himarën. Në planet e qeverisë janë një sërë projektesh për zhvillimin e Jugut të Shqipërisë. Për Himarën, ai foli për një projekt të madh për problemin e parkimit, ndërhyrje në qendrën e qytezës, ndërsa për Borshin janë planifikuar investime në infrastrukturë.

“Po diskutojmë për një projekt të madh për një parkim të madh nëntokësor te fusha e sportit, ku do të mund të akomodohen shumë mjete. Ndërkohë fusha do të jetë po aty mbi parkimin. Kemi në plan të bëjmë një ndërhyrje shumë të bukur në qendrën e Himarës, ku është çudi e madhe, por që mund të bëhet një qendër shumë e bukur dhe brenda qyteti të jetë i vizitueshëm e të ketë më shumë ekonomi në kohën e sezonit turistik, gjë që sot është shumë e vështirë për vetë faktin se ka vetëm trafik e bllokime, pasi qendra është jashtë çdo standardi e pamjeje për një qytet që ka marrë kaq shumë emër e tërheq shumë vizitorë”, tha Rama, i cili paralajmëroi edhe ndërhyrje në qendër të Himarës. Kemi edhe një sërë projektesh të tjera që prekin Borshin e pikat të tjera.

“Borshi ka nevojë për ndërhyrje. Është zona më pak e ndërhyrë në aspektin e investimeve publike. Jo për ndonjë arsye tjetër, por sepse nuk kemi dashur të bëjmë rrugë që të shkatërrohen nga fluksi i ndërtimeve, sidomos pjesën poshtë ku po lind një tjetër gjeneratë turizmi në aspektin e infrastrukturës hoteliere e cilësisë, që do të sjellë turistë që do të shpenzojnë më shumë dhe më shumë të ardhura për zonën”.

Hapi vijues do të jetë ai i dhënies së pronësisë mbi tokën në të gjithë Bashkinë e Himarës, me një rritëm më të shpejtë. Në takimin në Himarë për të dhënë certifikatat e pronësisë, bashkë me Ramën, ishin edhe drejtoresha e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, kryebashkiaku Vangjel Tavo si dhe drejtuesi politik për Vlorën, Bledi Çuçi. /Gazeta Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu