Elton Kërluku

Ka përfunduar sot afati për riplotësimin e dosjeve të kandidatëve për drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Nga 13 kandidatë që aplikuan fillimisht, vetëm dy figura të spikatura mbeten në garë: zëvendësdrejtori aktual Joni Keta dhe oficeri i BKH-së, Elton Kërluku.

Burime për “Ora News” bëjnë me dije se dokumentacioni i vetëm dy kandidatëve – Joni Ketës dhe ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Gledis Nano – ishte i plotë që në fazën e parë të verifikimit, duke shmangur vonesat që prekën 11 aplikantët e tjerë. Për këta të fundit, komisioni i përbërë nga Altin Dukani, Arben Kraja dhe Behar Dibra vendosi shtyrjen me dy ditë të procesit të vlerësimit për shkak të mangësive në dosje.

Megjithatë, gara ka marrë tashmë një drejtim të qartë dhe po konsolidohet në një përballje mes dy emrave që vijnë nga vetë struktura e BKH-së. Joni Keta, i cili gëzon mbështetjen e prokurorit Arben Kraja, përflitet si kandidati institucional, ndërsa Elton Kërluku shihet si i preferuari i drejtuesit aktual të SPAK, Altin Dumani.

Situata është përfshirë dhe nga tensione të brendshme institucionale. Mbështetja e Krajës për Ketën mësohet se ka sjellë një reagim të menjëhershëm nga Dumani, i cili e largoi Krajën nga pozicioni i tij në Zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë, duke e rikthyer si prokuror i thjeshtë në sektorin e krimit ekonomik. Në vend të tij, është emëruar prokurorja Dorina Bejko, e konsideruar si një nga kandidatët e mundshëm për kreun e SPAK në të ardhmen.

Tashmë, vëmendja është e përqendruar te vendimi i ardhshëm i Komisionit, ku vota e prokurorit Behar Dibra pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar drejtuesin e ri të BKH-së për mandatin 5-vjeçar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu