Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar sot, me 10 vota pro, listën me katër kandidatë që do të garojnë për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Mbledhja e KLP-së nisi në orën 10:00 dhe kishte në fokus verifikimin nëse kandidatët plotësojnë kriteret ligjore për këtë pozicion. Vendimi u mor në mungesë të anëtarit Zeqir Hodaj, i cili dha sqarime lidhur me raportimet në media për një konflikt interesi, pasi djali i tij është zgjedhur hetues financiar në SPAK.

“Nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë. Kërkoj t’i jepet kohë këshillit dhe vetes për të marrë një vendim të drejtë. Edhe pse çështje formale, duhet të largohem nga votimi për të garantuar një proces të rregullt ligjor,” – tha Hodaj, para se të largohej nga mbledhja.

Pas largimit të tij, kryetari i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Sokol Stojani, sqaroi se të katër kandidatët kanë paraqitur platformën e tyre dhe nuk kanë masa disiplinore në fuqi, duke theksuar se plotësojnë të gjitha kriteret ligjore.

“Ne i propozojmë këshillit miratimin e listës së kandidatëve për drejtimin e SPAK,” – tha Stojani.

Në garë për postin e kreut të SPAK janë:

  • Adnan Xholi
  • Klodian Braho
  • Doloreza Musabelliu
  • Ervin Gogaj

Të gjithë kandidatët janë aktualisht pjesë e strukturës së SPAK dhe pritet të kalojnë në fazën e intervistimeve publike, ku do të vlerësohen për karrierën, integritetin, aftësitë drejtuese dhe vizionin për të ardhmen e institucionit.

Ky proces zhvillohet në prag të përfundimit të mandatit trevjeçar të Altin Dumanit, i cili largohet nga detyra më 18 dhjetor 2025. Gjatë drejtimit të tij, SPAK ka qenë në qendër të vëmendjes për hetime të rëndësishme ndaj zyrtarëve të lartë dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Pas verifikimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të intervistave, KLP do të përzgjedhë pasuesin e Dumanit në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu