Mostra e Gonioinfradens giardi e zbuluar ditët e fundit në Sicili

Një tjetër sinjal i fortë i ndryshimeve ekologjike në Mesdhe vjen nga ujërat italiane. Për herë të parë në brigjet italiane të Detit Mesdhe është identifikuar Gonioinfradens giardi, një gaforre e vogël me origjinë nga Deti i Kuq dhe Oqeani Indian. Zbulimi është bërë në Portopalo di Capo Passero, pika më jugore e Sicilisë, një zonë e njohur për biodiversitetin e saj të lartë detar.

Lajmi është konfirmuar nga Departamenti i Shkencave Biologjike, Gjeologjike dhe Ambientale i Universitetit të Katanias. Analiza morfologjike është kryer nga studiuesi Francesco Tiralongo, një nga ekspertët kryesorë europianë për pushtimet biologjike detare, në bashkëpunim me biologen Paola Leotta.

Sipas të dhënave, bëhet fjalë për një femër të kapur e gjallë në një rrjetë peshkimi në thellësi rreth 10 metra, e dorëzuar nga peshkatari profesionist Alfonso Barone, bashkëpunëtor i projektit shkencor “AlienFish”, një nismë citizen science që lidh shkencëtarët me komunitetin e peshkatarëve.

Zbulimi më perëndimor i regjistruar ndonjëherë

Ky rast përfaqëson pikën më perëndimore ku është dokumentuar ndonjëherë Gonioinfradens giardi në Mesdhe, duke e vendosur Sicilinë në vijën e parë të asaj që studiuesit e quajnë transformim ekologjik i Mesdheut.

Speciet aliene si kjo gaforre mund të konkurrojnë speciet autoktone, të ndryshojnë zinxhirët ushqimorë dhe të cenojnë ekuilibrin e ekosistemeve bregdetare, tashmë të kërcënuara nga organizma invazivë si gaforrja blu amerikane.

Një proces ekspansioni në rritje

Studimi i plotë shkencor pritet të publikohet në vitin 2026 në revistën ndërkombëtare Mediterranean Marine Science. Gonioinfradens giardi është regjistruar për herë të parë në Mesdhe në vitin 2010, pranë ishullit Rodos, dhe më pas është shfaqur në disa zona të Mesdheut lindor.

Sipas prof. Tiralongo, prania e saj në ujërat italiane tregon se procesi i zgjerimit drejt perëndimit është tashmë në zhvillim, ndoshta edhe më i avancuar sesa është dokumentuar deri më sot.

“Sicilia është një platformë natyrore për të vëzhguar në kohë reale ndryshimet e Mesdheut. Shumë specie tropikale që hyjnë nga Kanali i Suezit gjejnë këtu kushte ideale për t’u stabilizuar”, shprehet Tiralongo.

Ai paralajmëron gjithashtu se ngjashmëria e kësaj specie me gaforre të tjera vendase mund të ketë bërë që prania e saj të mos jetë identifikuar më herët.

Mesdheu drejt “tropikalizimit”?

Ekspertët bien dakord se ngrohja e ujërave, trafiku detar intensiv dhe Kanali i Suezit kanë rritur ndjeshëm hyrjen e specieve të huaja në Mesdhe.

“Mesdheu është sot një nga detet më vulnerabël ndaj specieve të reja. Sicilia, për pozicionin gjeografik dhe larminë e habitateve, është ndër zonat më të ekspozuara, por edhe më aktive në monitorim shkencor”, thekson Tiralongo.

Studiuesit nënvizojnë se përballja me këtë realitet kërkon bashkëpunim institucional, qasje multidisiplinare dhe pjesëmarrjen aktive të komuniteteve lokale, për të mbrojtur ekosistemet detare dhe ekonominë bregdetare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu