
Londër – Gabriel Martinelli do të mbetet pjesë e Arsenalit, pavarësisht thashethemeve që e lidhnin me një transferim të mundshëm te klubi saudit Al Nassr. Burime të besueshme të merkatos kanë mohuar çdo lloj kontakti mes palëve, duke e konsideruar të pavërtetë lajmin për një largim të tij nga Londra.
Gazetari i njohur Fabrizio Romano deklaroi se nuk ka pasur asnjë negociatë midis Martinellit dhe Al Nassr dhe se Arsenali nuk ka marrë asnjë ofertë për kartonin e tij. Romano theksoi se lajmet për këtë transferim janë krejtësisht jashtë realitetit.
Po ashtu, edhe burime pranë klubit londinez bëjnë të ditur se Arsenali nuk ka asnjë qëllim të shesë sulmuesin brazilian, i cili është pjesë thelbësore e projektit të trajnerit Mikel Arteta. Vetë Martinelli është i përqendruar te Arsenali dhe objektivat e tij sportivë, ndërsa nuk ka interes të largohet nga Europa në këtë fazë të karrierës, veçanërisht në prag të Kupës së Botës 2026.
Disa media britanike raportuan se Al Nassr kishte përgatitur një ofertë deri në 73 milionë paund për të bindur londinezët, por sipas të gjitha burimeve serioze të merkatos, asnjë propozim zyrtar nuk është paraqitur.
Martinelli synon të vazhdojë të garojë për trofe në Premier League dhe Champions League, duke mbetur një nga lojtarët kyç të Arsenalit për sezonin e ri.
Në të njëjtën kohë, Arsenali mund të jetë aktiv në merkato për të përforcuar sulmin, por nuk ka ndërmend të sakrifikojë lojtarë si Martinelli. Deri tani janë përfolur emra si Rodrygo i Real Madridit dhe Luis Diaz i Liverpool-it, por nuk ka hapa konkretë në këtë drejtim.
Përfundimisht, Gabriel Martinelli nuk largohet nga Arsenali dhe zërat për një transferim në Arabinë Saudite rezultojnë të pabazuara