Për herë të parë pas më shumë se katër shekujsh, shkencëtarët kanë rindërtuar fytyrën e një burri që në Mesjetë besohej se ishte “vampir”. Eshtrat u zbuluan në fortesën e Račesës, në Kroacinë lindore, dhe mbajnë gjurmë ritualesh të frikshme që synonin të pengonin rikthimin e tij nga të vdekurit.

Sipas arkeologëve, trupi ishte nxjerrë nga varri, i ishte prerë koka dhe më pas ishte rivarrosur me fytyrë poshtë, i mbuluar me gurë të rëndë. Dëmtimet nuk mund të shpjegohen nga faktorë natyrorë, çka përforcon teorinë se komuniteti kishte frikë se ai mund të “kthehej” si vampir.

Analizat bioarkeologjike tregojnë se burri kishte jetuar një jetë të dhunshme dhe kishte pësuar disa plagë serioze. Një prej tyre i kishte deformuar fytyrën, duke e bërë ndoshta figurë të frikshme dhe të përjashtuar nga shoqëria.

“Ai kishte përjetuar të paktën tre episode të rënda dhune gjatë jetës dhe ka gjasa të ketë vdekur në mënyrë të dhunshme,” – shpjegoi arkeologia Nataša Sarkić.

Falë teknologjisë moderne dhe skanimeve CT, ekspertët rindërtuan fillimisht kafkën në mënyrë virtuale dhe më pas pamjen e fytyrës. Versioni përfundimtar u përshkrua si “armiqësor dhe kërcënues”, me shenja të dukshme traumash.

Burri besohet se ka jetuar në shekullin XV ose XVI, ishte rreth 1.63 metra i gjatë dhe vdiq mes moshës 40–50 vjeç. Studiuesit dyshojnë se mund të ketë qenë ushtar ose person i mësuar me përballje të ashpra.

Besimi te vampirët ishte i përhapur në Evropën Lindore: individët që vdisnin dhunshëm apo konsideroheshin devijantë shpesh varroseshin me rituale parandaluese, si prerja e kokës apo lidhja e gjymtyrëve.

Ky zbulim është një nga mbi 180 varret e gjetura në fortesën e Račesës dhe hedh dritë mbi frikërat dhe supersticionet që dominonin shoqëritë mesjetare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu