
Gjykata e Lartë e Italisë ka vendosur se çdo ndërhyrje në një pajisje celulare personale pa autorizim përbën një vepër penale të rëndë, e cila mund të dënohet deri në 10 vite burg. Ky vendim vjen pas shqyrtimit të një rasti që ka tërhequr vëmendje të gjerë në opinionin publik italian.
Bëhet fjalë për një burrë që kishte marrë pa leje disa mesazhe dhe të dhëna nga telefoni celular i ish-bashkëshortes së tij, me qëllim që t’i përdorte si provë në një proces gjyqësor për ndarjen e çiftit. Gjykata e Apelit e Messinës e kishte dënuar më herët, ndërsa së fundmi Gjykata e Kasacionit ka refuzuar përfundimisht rekursin e tij, duke e cilësuar veprimin si “akses i paautorizuar në një sistem informatik”.
Sipas vendimit të gjykatës, burri kishte marrë mesazhe private nga një bisedë të ish-bashkëshortes me një koleg pune dhe ia kishte dërguar prindërve të saj, për të sugjeruar se kishte një lidhje të fshehtë mes tyre. Gruaja kishte bërë kallëzim në mars të vitit 2022 për sjellje kërcënuese dhe kontroll obsesiv ndaj saj, ndërsa në një shtesë kallëzimi në mars 2023, ajo denoncoi edhe nxjerrjen e të dhënave nga një tjetër celular i saj i humbur.
Gjykata e Lartë thekson qartë se telefoni celular, edhe nëse përdoret për arsye pune, mbetet një hapësirë komunikimi private, e mbrojtur me fjalëkalime dhe e destinuar vetëm për përdorim personal. Hyrja në këto sisteme pa pëlqimin e pronarit përbën një ndërhyrje të padrejtë në jetën private dhe shkelje të rëndë të ligjit.