Sarandë & Gjirokastër, 23 Prill 2025 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi dy tubime madhore në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ku ai adresoi problematikat më të mprehta që, sipas tij, po e shkatërrojnë Shqipërinë dhe po i vrasin ëndrrën brezave të rinj.

Në një atmosferë entuziaste në Sarandë, Berisha e cilësoi datën 11 maj si “ditën më epike të vendimit për Shqipërinë”, duke e portretizuar si një moment ndarjeje me një realitet të zymtë të ndërtuar nga një qeveri që, sipas tij, “ka përdorur batutat për të mbuluar dështimet e mëdha”. Ai denoncoi një sërë aferash që lidhen me koncensionet shëndetësore dhe inceneratorin e Tiranës, duke theksuar se vetëm rasti i sterilizimit ka sjellë një rritje 83-fish të kostove dhe përfitues janë një grusht njerëz pranë pushtetit.

“Këto para duhet të kthehen tek qytetarët”, tha Berisha, duke premtuar se 130 milionë eurot e inceneratorit dhe 120 milionë eurot e dëmshpërblimit ndaj Becchetti-t do të kanalizohen në rritje pensionesh dhe ndihmë ekonomike. Ai theksoi se “Shqipëria pa ëndërr nuk ka të ardhme”, duke i bërë thirrje sarandjotëve të votojnë për një ndryshim rrënjësor dhe për “Sarandën madhështore”.

Në Gjirokastër, Berisha theksoi rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtit të tolerancës që karakterizon këtë qytet, por paralajmëroi për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale. Duke iu referuar të dhënave të UNICEF-it, ai denoncoi faktin se “21 përqind e familjeve shqiptare nuk mund t’u sigurojnë tre vakte ushqim fëmijëve të tyre”.

“Varfëria ekstreme është një tirani që poshtëron dhe zhvlerëson njeriun. Pensionet janë qesharake, ndihma ekonomike është turp, dhe vendi është boshatisur nga të rinjtë që nuk shohin më të ardhme”, tha ai para qytetarëve të Gjirokastrës.

Ai e mbylli fjalën me një thirrje për mobilizim: “Të shpëtojmë Shqipërinë nga plaçkitja dhe ta kthejmë ëndrrën tek qytetarët. Gjirokastra dhe Shqipëria mund të jenë madhështore – por jo me këtë qeveri.”

Turi i Berishës vijon në qytete të tjera me moton “Shqipëria Madhështore”, duke vendosur theksin tek përballja e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe denoncimin e qeverisë Rama për aferat ekonomike dhe braktisjen e shtresave më të pambrojtura të shoqërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu