
Ceremonia mortore për liderin historik të Lega-s, Umberto Bossi, u zhvillua në Pontida, në një atmosferë mes dhimbjes dhe tensioneve politike.
Në ceremoni morën pjesë figura të larta të politikës italiane, përfshirë kryeministren Giorgia Meloni dhe liderin e Lega-s Matteo Salvini, i cili u përball me kontestime nga një pjesë e militantëve.
Gjatë ceremonisë dhe më pas në “pratone” të Pontidës, mbështetësit rikthyen slogane historike të lëvizjes si “Padania”, “Secessione” dhe “Roma ladrona”. Në disa momente u dëgjuan edhe thirrje të forta kundër simboleve kombëtare, ndërsa ministri Giancarlo Giorgetti ndërhyri për të qetësuar turmën.
Salvini, i cili u shfaq me këmishën simbolike jeshile, u kritikua nga disa pjesëmarrës me thirrje si “hiqe këmishën jeshile”, ndërsa figura të tjera si Luca Zaia u pritën me duartrokitje.
Ceremonia u zhvillua në një formë jo zyrtare, sipas dëshirës së familjes, por prania e politikës dhe rikthimi i sloganeve të vjetra i dhanë ngjarjes një dimension të fortë politik.
Në përfundim të homazheve, kortezhi u drejtua drejt fushës së mbledhjeve tradicionale të Lega-s, duke shënuar një ditë që ndërthurte kujtimin për Bossin me nostalgjinë për fazat e hershme të lëvizjes.



