Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, duke i hapur rrugë shqyrtimit dhe votimit në Kuvend.

Vendimi erdhi pas propozimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe përbën një hap të rëndësishëm në angazhimin ndërkombëtar të Kosovës në misionet paqeruajtëse.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe rindërtimin në Gaza, duke theksuar se vendi ka përfituar vetë nga prania e forcave ndërkombëtare që nga viti 1999.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u shpreh se ky vendim forcon profilin ndërkombëtar të Kosovës dhe dëshmon gatishmërinë për të vepruar krah aleatëve në mbështetje të sigurisë globale.

Reagim për këtë vendim ka ardhur edhe nga Bordi i Paqes, i cili përmes një njoftimi në rrjetin social “X” ka mirëpritur angazhimin e Kosovës për paqen dhe rindërtimin në Gaza.

Sipas legjislacionit në fuqi, pas miratimit në qeveri, vendimi duhet të kalojë për votim në Kuvend dhe më pas të marrë edhe dekretimin nga presidenti.

Ndërkohë, edhe Shqipëria pritet të jetë pjesë e forcës ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, e cila synon të përfshijë rreth 20 mijë trupa nga vende të ndryshme dhe të bashkëpunojë me strukturat lokale për garantimin e rendit dhe sigurisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu