Teheran – Në një klimë frike dhe tensioni të lartë, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka hartuar një listë sekrete me tre kandidatë që ai dëshiron të pasojnë në rast se eliminohet nga një atentat, raportoi “New York Times”, duke cituar burime pranë autoriteteve iraniane.

Vendimi i Khameneit, 86 vjeç, vjen pasi disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt janë vrarë në sulmet ajrore të Izraelit gjatë natës së kaluar. Udhëheqësi i Republikës Islamike, që drejton vendin që prej vitit 1989, është aktualisht i izoluar në një bunker dhe ka urdhëruar Asamblenë e Ekspertëve — organin klerikal që ka autoritetin për të zgjedhur liderin suprem — të zgjedhë mes emrave që ai vetë ka përzgjedhur, në rast se ndodh më e keqja.

“Kjo është prova më e qartë se ajatollahu është duke dridhur këpucët nga frika”, citohet të ketë thënë një burim pranë Shtëpisë së Bardhë për “New York Post”.

Në mënyrë të habitshme, djali i Khameneit, Mohtaba, 55 vjeç, nuk është pjesë e listës, ndonëse prej vitesh është konsideruar pasuesi më i mundshëm. Ekspertët besojnë se Khamenei ka shmangur përfshirjen e tij për të mos u perceptuar si mbretëror apo nepotik.

Sipas raportit, kandidati kryesor është Gholam-Hossein Mohseni-Eje’i, 68 vjeç, kreu aktual i sistemit gjyqësor iranian, i njohur për qëndrimet e ashpra në periudha krizash. Kandidatët e tjerë përfshijnë klerikët Mohsen Qomi dhe Mohsen Araki, si dhe anëtarët e Këshillit të Gardës, Alireza Arafi dhe Hashem Hosseini Bushehri.

Vendimi për të përzgjedhur paraprakisht pasuesin përbën një devijim të qartë nga praktika tradicionale e sistemit iranian, ku Asambleja e Ekspertëve zhvillon konsultime të gjata për një lider të ri, një proces që është kryer vetëm një herë më parë — kur vetë Khamenei pasoi Ajatollah Khomeinin në vitin 1989.

“Prioriteti i vetëm është mbijetesa e regjimit,” deklaroi profesori Vali Nasr, ekspert i çështjeve iraniane nga Johns Hopkins University.

Aktualisht, raporti thotë se Khamenei ka ndërprerë çdo formë komunikimi elektronik dhe po transmeton urdhrat e tij vetëm përmes një ndihmësi të besuar.

Ndërkohë, përfaqësuesit e misionit iranian në OKB nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu