
Banorët e fshatit Jabo, në shtetin Sokoto në veriperëndim të Nigerisë, janë përfshirë nga frika dhe konfuzioni një ditë pas një sulmi ajror amerikan, i cili sipas dëshmive lokale ra pranë qendrës së vetme shëndetësore të zonës. Siç raporton World, banorët pohojnë se fshati i tyre nuk ka asnjë histori të pranisë së apo grupeve të tjera terroriste.
Suleiman Kagara, banor i zonës, i tha CNN se rreth orës 22:00 dëgjoi një shpërthim të fortë dhe pa flakë në qiell, para se predha të binte në tokë dhe të shpërthente, duke shkaktuar panik mes banorëve. “Nuk fjetëm gjithë natën. Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë,” u shpreh ai.
Sulmi u përmend më pas nga presidenti amerikan , i cili deklaroi se SHBA kishte kryer një goditje “të fuqishme dhe vdekjeprurëse” kundër militantëve të ISIS-it në rajon, duke e cilësuar atë si një “dhuratë Krishtlindjeje” për terroristët. Sipas Komandës Amerikane për Afrikën, operacioni ka neutralizuar disa militantë.
Megjithatë, deklaratat zyrtare kanë ngritur pikëpyetje te banorët dhe autoritetet lokale. Deputeti Bashar Isah Jabo, që përfaqëson zonën e Tambuwal-it në parlamentin shtetëror, tha për CNN se fshati është një komunitet paqësor, pa histori të ISIS-it, Lakurawa-s apo grupeve të tjera terroriste. Ai sqaroi se predha ra rreth 500 metra nga qendra shëndetësore dhe, megjithëse nuk pati viktima, incidenti shkaktoi frikë të madhe.
Ministria e Informacionit e Nigerisë deklaroi më pas se operacioni, i zhvilluar në bashkëpunim me SHBA-në, kishte në shënjestër baza të ISIS-it në pyjet e distriktit Tangaza, ndërsa copëza municionesh kishin rënë aksidentalisht në Jabo dhe në një zonë tjetër në shtetin Kwara. Autoritetet theksuan se nuk ka pasur viktima civile.
Analistët theksojnë se sfidat e sigurisë në Nigeri janë komplekse dhe nuk lidhen vetëm me fenë, por edhe me probleme të qeverisjes, rivalitete etnike dhe konflikte për burime natyrore. Sipas tyre, sulmet ajrore mund të dobësojnë disa grupe të armatosura, por nuk pritet të ndalin dhunën e shumëanshme që prek vendin prej vitesh.
Burimi: CNN World







