Gramsh, 13 gusht 2025 – Situata në njësinë administrative Skënderbegas vijon të jetë dramatike për shkak të zjarreve që prej dy ditësh po kalojnë nga një fshat në tjetrin, duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tyre.

Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë kanë nisur groposjen e kafshëve të ngordhura nga flakët, me qëllim parandalimin e përhapjes së ndonjë epidemie. Masat po merren në kushtet e një emergjence të plotë, pasi rreziku për shëndetin publik mbetet i lartë.

Nuk mungojnë edhe raste kur zjarrfikës e vullnetarë kanë shpëtuar kafshë por për shumë prej tyre ka qenë e pamundur të bëhet e njëjta gjë.

 

Deri tani, 39 banesa janë shkrumbuar, janë djegur sipërfaqe të mëdha me pyje e shkurre, ndërsa dhjetëra krerë bagëti kanë humbur jetën, të rrethuar nga zjarri. Flakët kanë depërtuar tashmë në fshatin e tetë të njësisë, ndërsa për shuarjen e tyre po punojnë mbi 350 efektivë, të mbështetur edhe nga ajri me helikopterë.

Evakuimi i banorëve ka nisur, por sipas kryebashkiakut të Gramshit, Besjan Ajazi, jo të gjithë janë bindur të largohen. “Kryesorja është për banorët të ruajnë gjakftohtësinë. Ne jemi për t’i ndihmuar, çfarë është bërë, është bërë. Apeli është të largohet edhe banori i fundit. Keq është ta them, por kemi përdorur edhe forcën”, tha ai.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin pa vonesë udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të zhvendosen në zonat e sigurta, duke mos rrezikuar jetën për të mbrojtur pronën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu