
Shqipëria dhe Kosova vijojnë të klasifikohen si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit të Freedom House, që analizon gjendjen e demokracisë dhe lirive në botë për vitin 2026.
Sipas raportit “Liria në Botë 2026”, Shqipëria ka shënuar një përmirësim të lehtë, duke arritur në 69 pikë nga 100, një pikë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, vendi mbetet ende në kategorinë e shteteve “pjesërisht të lira”.
Edhe Kosova ka regjistruar rritje të lehtë, duke arritur në 61 pikë. Raporti vlerëson disa zhvillime pozitive, veçanërisht në drejtim të pavarësisë së gjyqësorit, por thekson se presionet politike dhe ngërçet institucionale kanë ndikuar negativisht në progres.
Në analizë nënvizohet se vonesat në krijimin e institucioneve dhe funksionimi i zgjatur i qeverisë në detyrë kanë dobësuar reformat, duke ndikuar në fusha kyçe si sundimi i ligjit dhe siguria.
Sa i përket rajonit, Shqipëria renditet ndër vendet me performancën më të mirë në Ballkanin Perëndimor, duke lënë pas Malin e Zi (68 pikë) dhe Maqedoninë e Veriut (67 pikë). Serbia dhe Bosnja e Hercegovina rezultojnë me nivel më të ulët, përkatësisht 53 dhe 54 pikë.
Në nivel global, raporti evidenton një prirje shqetësuese: viti 2025 shënon vitin e 20-të radhazi të rënies së lirisë në botë. Vetëm 21% e popullsisë globale jeton në vende të konsideruara “të lira”, nga 46% që ishte dy dekada më parë.
Sipas Freedom House, 54 vende kanë shënuar përkeqësim të lirive gjatë vitit të fundit, ndërsa vetëm 35 kanë regjistruar përmirësim.



