Kryeministri francez, François Bayrou, ka humbur votëbesimin në Asamblenë Kombëtare, duke mos arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të vazhduar qeverisjen. Sipas mediave franceze, Bayrou do t’i paraqesë dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron nesër në mëngjes, duke i hapur rrugë një periudhe të re pasigurie politike.

Pas këtij zhvillimi, Macron përballet me disa opsione, të gjitha të vështira:

Emërimi i një kryeministri të ri. Proces që pritet të jetë i ndërlikuar, pasi emri i zgjedhur duhet të pranohet nga forcat kryesore parlamentare. Vitin e kaluar, Macron u desh disa javë për të arritur një marrëveshje të tillë. Deri atëherë, Bayrou pritet të qëndrojë si kryeministër kujdestar.

Thirrja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Një skenar që mund të ndryshojë balancat aktuale, por që mbart edhe rrezikun e forcimit të mëtejshëm të të djathtës ekstreme të Marine Le Pen dhe partisë së saj Rassemblement National (RN).

Shpallja e zgjedhjeve presidenciale të parakohshme. Një alternativë që Macron e ka mohuar vazhdimisht, pasi mandati i tij i dytë përfundon në vitin 2027, dhe sipas kushtetutës nuk mund të rikandidojë. Megjithatë, disa grupe parlamentare e kanë kërkuar këtë hap.

Situata aktuale lë Francën përballë një pasigurie të re politike, teksa pritet të shihet se cili opsion do të zgjedhë presidenti Macron.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu