
Brenda ambienteve të Parkut Olimpik në Tiranë janë fotografuar qindra kuti kartoni të mbushura me fletë votimi, të cilat janë të destinuara për votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Pamjet e siguruara nga LSA tregojnë përgatitjet intensive të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të garantuar përfshirjen e emigrantëve në procesin zgjedhor.
KQZ ka njoftuar se fletët e votimit do të mbërrijnë në adresat e zgjedhësve jashtë vendit duke nisur nga data 15 prill deri më 22 prill në Europë dhe në kontinentet e tjera deri më 25 prill. Çdo votues duhet ta dërgojë mbrapsht fletën e votimit brenda tre ditëve nga marrja, pa asnjë kosto – posta është e mbuluar nga KQZ.
View this post on Instagram
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi më 2 prill se përgatitjet për këtë proces do të nisin menjëherë pas mbërritjes së fletëve të votimit më 7-8 prill. “Në datat 8, 9 dhe 10 prill do të nisë paketimi i zarfeve dhe dokumentacionit përkatës për votuesit jashtë vendit. Shpresojmë që procesi të përfundojë deri më 15 ose 17 prill”, u shpreh ai.
Vota e diasporës ka rëndësi të madhe për procesin demokratik, ndaj KQZ u bën thirrje të gjithë zgjedhësve jashtë Shqipërisë të mos vonojnë dërgimin e fletës së votimit. Afati i fundit për dorëzimin në KQZ është ora 19:00 e datës 11 maj.
📸 Shihni më poshtë pamjet nga brenda Parkut Olimpik, ku po përgatiten fletët e votimit dhe ambientet e monitorimit të procesit.