
Forcat Speciale Shqiptare kanë zhvilluar një ushtrim të përbashkët me Forcat Speciale të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ushtarak dhe rritjes së gatishmërisë operacionale mes aleatëve.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, përmes një postimi në rrjetet sociale gjithashtu njoftoi se ushtrimet janë zhvilluar në Zall-Herr dhe është bazuar në skenarë realistë, me qëllim testimin e gatishmërisë për dislokim emergjent (EDRE).
Kingji theksoi se stërvitja synon rritjen e aftësive profesionale, ndërveprueshmërisë dhe besimit mes forcave aleate të NATO, për t’u përballur në mënyrë efektive me situata krizash dhe sfida të sigurisë.
“Zall-Herr – Forcat Speciale Shqiptare dhe Forcat Speciale të SHBA-së, gjatë zhvillimit të stërvitjes së përbashkët, e bazuar në skenare reale për testimin e gatishmërisë së dislokimit emergjent (EDRE), me qëllim forcimin e aftësive, ndërveprueshmërisë dhe besimit mes Aleatëve të NATO-s për t’iu përgjigjur krizave”, ka shkruar Kingji.
Ushtrime të tilla vlerësohen si pjesë e rëndësishme e angazhimit të Shqipërisë në kuadër të Aleancës Atlantike dhe bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara.







