Përgatiti – Giacomo Tognini, Forbes

Në një ditë me diell tetori në Tiranë, kryeqytetin shqiptar, Samir Mane buzëqesh teksa ecën nëpër Tirana East Gate Mall, një qendër tregtare gjigante prej 110 mijë metrash katrorë me marka ndërkombëtare si Adidas, Swarovski, Burger King dhe KFC.

Qendra më e madhe tregtare në Shqipëri nuk dallon shumë nga ato që gjenden në qytetet kryesore evropiane — dhe ky është pikërisht qëllimi.

“Kjo është pasuria jonë më përfaqësuese. Është 100% e dhënë me qira,” thotë me krenari ai, ndërsa përmend një listë të gjatë biznesesh, përfshirë H&M, Zara, restorantin e parë të sushit në Shqipëri dhe disa biznese të tij personale, si një dyqan veshjesh, një dyqan lodrash dhe një zinxhir pajisjesh elektronike.

“Njerëzit duan t’i prekin produktet. Ne kemi çdo biznes të prekshëm në Shqipëri.”

I veshur me xhaketë blu të errët dhe një polo të zezë të markës Lacoste, Mane do të mund të ngatërrohej lehtësisht me ndonjë nga klientët e mëngjesit të së hënës.

Por 57-vjeçari është miliarderi i parë dhe i vetmi i Shqipërisë, personi më i pasur në këtë vend të vogël mesdhetar me rreth 2.8 milionë banorë.

Falë investimeve në sektorin e shitjes me pakicë, pasurive të paluajtshme dhe bankave, ai ka ndërtuar një pasuri prej 1.4 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve të Forbes, duke u renditur në listën e miliarderëve të vitit 2025.

“Kurrë nuk e kam menduar se kjo do të ishte e mundur,” thotë Mane. “Ëndrra ime ishte të kisha një shtëpi ose një makinë.”

Grupi i tij BALFIN operon në 10 shtete dhe regjistroi në vitin 2024 një fitim neto prej 120 milionë dollarësh mbi një xhiro totale prej 880 milionë dollarësh, një rritje prej 31% dhe 14% krahasuar me vitin 2023.

Rreth 62% e të ardhurave vijnë nga sektori i shitjes me pakicë, 20% nga pasuritë e paluajtshme, 9% nga sektori bankar, dhe pjesa tjetër nga logjistika dhe menaxhimi i aseteve. Mane është pronar i vetëm i grupit, ndonëse ka përfshirë partnerë në disa qendra tregtare, zinxhirë shitjesh dhe projekte ndërtimi.

Gjurmët e tij janë të dukshme në të gjithë Tiranën, ku është rikthyer për të jetuar që nga viti 2005.

Ai është pronari i Tirana Bank, banka e pestë më e madhe në vend, dhe zinxhiri i tij i pajisjeve elektronike Neptun është më i madhi në Shqipëri.

Deri së fundmi, ishte edhe pronar i rrjetit më të madh të supermarketeve, të cilin e shiti për 48 milionë dollarë në mars.

Në rrugët e kryeqytetit, brenda Mercedes-Maybach-it të tij, ai udhëzon shoferin të ndalet te Rolling Hills, një kompleks luksoz rezidencial me vila neoklasike që ai vetë e ka ndërtuar dhe ku jeton në një vilë 3,000 metra katrorë.

“E bleva tokën në 2008. Ishte shumë e lirë atëherë,” thotë ai, ndërsa tregon nga vila me pamje nga malet e Skënderbeut.

Vlera e tokës është dhjetëfishuar dhe Mane ka vazhduar të ndërtojë: përveç Collina Verde-s aty pranë, është në ndërtim një tjetër projekt pranë një liqeni artificial, që do t’i kushtojë 240 milionë dollarë dhe do të përfundojë në vitin 2028.

 

“Askush, madje as babai im, nuk besonte se do të funksiononte.”

Pasuria e Mane nuk kufizohet në Shqipëri. Ai ka dyqane në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, përfshirë Skopje East Gate — qendra më e madhe tregtare në Maqedoninë e Veriut.

Ka nisur gjithashtu të investojë në ndërtesa banimi dhe zyra në Austri, Kanada, Nju Jork dhe Nju Xhersi.

Frymëzimin e gjeti në librat e figurave amerikane të biznesit si Jack Welch dhe Sam Walton.

“Welch thoshte që duhej të diversifikoheshe. Shqipëria është e vogël, ndaj thamë pse të mos shkojmë edhe në vende dhe industri të tjera?”

 

Nga refugjat në Austri në miliarder në Tiranë

Samir Mane lindi në vitin 1967 në qytetin jugor të Korçës, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Lëvizja brenda vendit ishte e kufizuar dhe ai nuk u largua nga qyteti deri në moshën 18-vjeçare, kur shkoi në Universitetin e Tiranës për të studiuar gjeologji.

“Nuk e zgjodha unë gjeologjinë. Partia Komuniste vendoste se çfarë do të studioje,” kujton ai.

Gjatë studimeve, ai shiste qofte për të fituar disa para, por pas gjashtë muajsh autoritetet e ndaluan.

Në vitin 1991, ndërsa ende ishte student, vendosi të largohej nga vendi për një jetë më të mirë.

Me një vizë të marrë në një agjenci udhëtimi (që më vonë rezultoi e falsifikuar), bëri një udhëtim 36-orësh me autobus drejt Vjenës dhe u regjistrua si refugjat.

Jetoi për më shumë se gjashtë muaj në një kamp refugjatësh dhe mësoi gjermanisht vetë, derisa u bë i aftë të aplikonte në Universitetin Teknik të Vjenës për të vijuar studimet në gjeologji.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1992, shumë shqiptarë nisën të shkonin në Vjenë për të blerë elektronikë, ku Mane pa një mundësi.

E la universitetin në 1993 për të ndihmuar eksportuesit si përkthyes, dhe më pas nisi biznesin vetë. Krijoi Alba-Trade, një kompani që blinte video playera, radio, TV dhe pajisje shtëpiake në Austri dhe i dërgonte në Shqipëri.

Ai vetë i ngarkonte kamionët dhe udhëtonte për dy ditë drejt Tiranës, ku i shiste direkt nga makina. “I shitëm të gjitha brenda tre orësh,” kujton ai.

Lexonte libra të Jack Welch dhe Sam Walton për të mësuar si të menaxhonte një kompani dhe një zinxhir shitjesh.

Në vitin 1996 hapi dyqanin e parë Neptun në Tiranë. Dy vjet më vonë u zgjerua në Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, duke qenë një nga të parët që hynte në këto tregje pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

“Është vizionar. Kuptoi nevojën për pajisje në Ballkanin Perëndimor kur nuk kishim as lavatriçe,” thotë Edlira Muka, drejtoresha e përgjithshme e BALFIN-it.

 

Qendrat tregtare dhe supermarketet: një sukses i guximshëm

Në fillim të viteve 2000, kishte ndërtuar një perandori elektronike me 19 dyqane dhe 50 milionë dollarë të ardhura, kryesisht nga Azia. Në vitin 2005, u rikthye në Tiranë për të hapur qendrën e parë moderne tregtare në Shqipëri.

Nuk gjeti zinxhirë ndërkombëtarë të gatshëm të hynin në treg, ndaj vendosi të krijonte vetë një rrjet supermarketesh. Punësoi një menaxher francez nga Carrefour dhe ndërtoi Euromax, supermarketin e parë modern në Shqipëri.

Në tetor 2005 hapi Qendrën Tregtare Univers në Tiranë. Rrugët ishin të mbushura me makina dhe vetë Mane ndihmoi për të drejtuar trafikun në parking.

Në vitin 2011 hapi edhe më të madhën: Tirana East Gate, me investitorë të rinj dhe model të qartë suksesi.

“Nuk pretendonte se i dinte të gjitha, por merrte ekspertizë dhe dëgjonte,” thotë Martin Mata nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve.

 

Nga banka te turizmi: ambicia pa kufij

Mane bleu Tirana Bank nga Piraeus Bank në vitet 2019-2020 për 64 milionë dollarë. Tani ajo vlen rreth 155 milionë. Disa investime kanë qenë më pak të suksesshme, si blerja e televizionit Scan TV në 2022, të cilin e shiti një vit më vonë me një humbje prej 2.2 milionë dollarësh.

Në tetor, SPAK arrestoi ish-Presidentin Ilir Meta për korrupsion.

Mane, i cili nuk është akuzuar për asnjë vepër penale, përmendet në dokumente si njeriu që supozohet t’i ketë ofruar Metës një vilë në Rolling Hills me vlerë rreth 1 milion dollarë. Mane i mohon kategorikisht akuzat: “Nuk kam qenë kurrë nën hetim, i akuzuar apo i dënuar për asnjë çështje.”

Ai e thekson se nuk ka hyrë kurrë në politikë dhe nuk ka përfituar nga privatizimet e viteve ’90.

“Unë e ndërtova pasurinë time në Austri dhe u ktheva,” thotë ai.

Tani po përgatitet të zgjerohet më tej në Evropën Lindore me rrjetin Jumbo në Moldavi dhe me dyqanet Flying Tiger Copenhagen, me planin për të hapur 50 të tilla në katër vitet e ardhshme.

Megjithatë, beson ende te potenciali i Shqipërisë, sidomos në turizëm.

Projekti i tij Green Coast në bregdetin e Adriatikut do të përfshijë hotele nga marka si Accor, Grand Melia dhe Hyatt, si dhe 2,600 vila dhe apartamente. Faza e parë u hap në 2022 dhe deri tani ka gjeneruar rreth 150 milionë dollarë fitim.

“Mendoj se do të bëjmë shumë mirë aty,” thotë Mane. Por nuk është i vetmi që po shikon nga Shqipëria.

Miliarderi i Dubait Mohamed Alabbar po zhvillon një resort prej 2.5 miliardë dollarësh në veri, ndërsa Jared Kushner dhe firma e tij e kapitalit privat po planifikojnë një kompleks luksoz prej 1.5 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit.

Për Mane, sa më shumë investime, aq më mirë: “I dua këto projekte, shpresoj që t’i realizojnë. Do të jetë fantastike për Shqipërinë.”

Dhe me më shumë vizitorë të huaj, ka më shumë klientë për dyqanet dhe vilat e tij. “Shitja me pakicë, pasuritë e paluajtshme dhe turizmi, kjo është e ardhmja jonë.”

VINI RE: Ky material është pronësi e Forbes

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu