
Fondi për bujqësinë nga Banka e Shqipërisë, Zusi: Do të jetë e vështirë të arrijë tek fermeri
Për të mbështetur me kredi sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh. Investimet që do të mbështeten janë ato në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm dhe inovacion teknologjik. Presidenti i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, u shpreh se nuk beson se kjo mbështetje ndoshta nuk mund të shkojë tek prodhuesi parësor.
“Besoj se ka për të financuar pjesën e industrisë dhe grumbullimit, nuk besoj se ka për të vajtur te fermeri. Por edhe duke u financuar industria, pjesa që mund të mos ketë akses të drejtpërdrejtë në këtë lloj kredie, ka për të përfituar”, tha ai.
Bankat preferojnë të investojnë paratë e tyre në sektorë të cilët janë shumë më të garantuar, më pak të rrezikuar, tha Zusi.
“Ngelet për t’u parë sesa bankat e nivelit të dytë kanë për të qenë të interesuara për ta menaxhuar këtë fond, dhe sa do të arrijnë të zgjidhin konfliktin e interesit që kanë për dhënien e fondeve të tyre, të cilat për momentin janë me interesa shumë më të larta sesa interesat që ka përcaktuar qeveria”, deklaroi ai.
Për Zusin duhet të ndërmerren të tjera incentiva për të ndihmuar sektorin dhe për të shtuar sigurinë ushqimore.
“Sistemi aktual fiskal është barriera më e madhe e sigurisë ushqimore. Prodhimi bujqësor vendas nuk mund të shitet nëse nuk shitet fiskalisht. Duke mos u shitur fiskalisht, ai shitet ilegalisht dhe nuk ka më asnjë agjenci të sigurisë ushqimore që mund ta ndjekë. Presioni për të qenë i padeklaruar është shumë i lartë dhe nuk zgjidhet dot me agjencitë që ekzistojnë”, theksoi Zusi.
Gjithsesi, për Zusin, fakti që shteti do të marrë përsipër deri në 75% të kolateralit është një gjë pozitive./rtsh