
Foltoria e Partisë Demokratike, e mbajtur këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë, është zhvilluar pa praninë e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili ndodhet në Strasburg.
Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Belind Këlliçi, deklaroi se mungesa e Berishës lidhet me një angazhim ndërkombëtar, ku sipas tij ai po përfaqëson Shqipërinë në një takim të rëndësishëm.
“Nuk e kemi Doktorin pranë, sepse ka shkuar për të përfaqësuar Shqipërinë në një takim të rëndësishëm ditën e nesërme,” u shpreh Këlliçi.
Ai theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës mbetet një moment historik që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.
“Shqipërinë në Këshillin e Europës e anëtarësoi Partia Demokratike më 13 korrik 1995. Sado që baltosin e shpifin, faktet janë kokëforta: çdo arritje në integrimin europian është meritë e PD-së dhe e Sali Berishës,” tha Këlliçi.
Ndërkohë, gazeta TemA ka publikuar më herët një dokument zyrtar, sipas të cilit nga Partia Demokratike ftesë zyrtare për në Strasburg kishte vetëm deputetja Albana Vokshi, ndërsa mbetet e paqartë mënyra se si Berisha ka udhëtuar dhe është përfshirë në këtë aktivitet.






