
Eksperti i sigurisë Faik Basha deklaroi këtë të premte në emisionin “People” në Euronews Albania se mbërritja në Shqipëri e Florenc Çapjas, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, është rezultat i një dëbimi nga Dubai dhe jo i një ekstradimi, pasi Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ende nuk kanë një marrëveshje zyrtare ekstradimi.
Megjithatë, mes dy vendeve ekziston një marrëveshje bashkëpunimi, e cila u nënshkrua nga ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë një vizite zyrtare në Dubai. Kjo marrëveshje ka mundësuar bashkëpunimin për dëbimin e shtetasve të kërkuar, edhe pse jo në formën e një ekstradimi formal.
“Shteti shqiptar ka disa kërkesa bashkëpunimi për elementë të krimit të organizuar që ndodhen në Dubai, por ato nuk janë miratuar si ekstradime. Për ekstradimin duhet të ketë një marrëveshje ku personi ka kryer një krim në vendin e origjinës dhe të gjitha provat e faktet dërgohen atje. Ne nuk e kemi këtë. Por ka një bashkëpunim mes dy qeverive. Bashkëpunimi që të bëhet dëbimi i një personi, Dubai ka disa kritere, duhet të kesh një veprimtari ekonomike, duhet të kesh garanci, duhet të jesh i rregullt me shtetin atje,” shpjegoi Basha.
Ai shtoi se Emiratet kanë një filtër të fortë gjyqësor që vlerëson aktivitetin ekonomik dhe garancitë e individëve, përfshirë ata me një histori kriminale. Problemi kryesor, sipas Bashës, është nëse shtetet janë të afta të dërgojnë dokumente dhe prova të sakta që vërtetojnë rrezikshmërinë e personit, për të justifikuar dëbimin.