
Studime të reja shkencore po forcojnë idenë se mikrobiota intestinale (komuniteti i baktereve në zorrë) luan një rol të rëndësishëm në shëndetin mendor, veçanërisht në çrregullimin bipolar. Një kërkim i kryer nga ekspertë të Universiteti Zhejiang në Kinë ka treguar se ndryshimet në përbërjen e baktereve të zorrëve lidhen me dëmtime të lidhjeve neuronale dhe me simptoma depresive.
Çfarë treguan eksperimentet
Studiuesit transplantuan mikrobiotë (përmes mostrave fekale) nga pacientë me çrregullim bipolar në fazë depresive te minj laboratorikë. Pas ndërhyrjes, minjtë shfaqën shenja depresioni, si ulje të aktivitetit motorik dhe interes më të vogël për ushqimin shpërblyes. Me anë të imazherisë cerebrale dhe testeve gjenetike u vu re një rënim i ndjeshëm i lidhjeve sinaptike, sidomos në korteksin prefrontal medial, zonë kyçe për rregullimin e emocioneve dhe vendimmarrjen.
Reagimi ndaj trajtimit
Minjtë që morën mikrobiotë nga donatorë të shëndetshëm nuk shfaqën ndryshime të tilla. Në testimin e barnave, fluoksetina (antidepresant) nuk solli përmirësim domethënës, ndërsa litiumi – terapi standarde për stabilizimin e humorit te pacientët bipolarë – përmirësoi dukshëm sjelljen, duke sugjeruar se çekuilibri i mikrobiotës mund të kontribuojë specifikisht në depresionin bipolar.
Bakteret e përfshira
Analizat identifikuan disa gjini bakteriale më të shpeshta te pacientët bipolarë, përfshirë Klebsiella dhe Alistipes, të lidhura në literaturë me efekte negative në shëndetin mendor. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se çrregullimi bipolar është multifaktorial (genetikë, mjedis, stil jete) dhe bakteret nuk janë shkaku i vetëm.
Drejt terapive të reja
Me një prevalencë rreth 1 në 50 persona globalisht, këto gjetje hapin rrugë për trajtime të reja të synuara, që mund të përfshijnë rikthimin e ekuilibrit të mikrobiotës intestinale si strategji ndihmëse për lehtësimin e simptomave.
Rezultatet janë publikuar në revistën shkencore Molecular Psychiatry dhe nënvizojnë rëndësinë e diagnostikimit të saktë dhe kërkimit të vazhdueshëm mbi boshtin zorrë–tru.




