
Vota e emigrantëve shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të shpërndahet në 85 shtete të botës ku ata jetojnë dhe punojnë, sipas grafikut të paracaktuar edhe nga KQZ për të gjithë aplikantët (kërkuesit) e aprovuar.
Kompania private ndërkombëtare DHL është ngarkuar për transportimin e votave, dhe ky shërbim ka një kosto që ka arritur deri në 40 euro për çdo votë. Qeveria ka aprovuar një fond prej 10 milionë eurosh për të mbuluar shpenzimet e transportit të 245,808 zarfeve.
Për më tepër, votat nuk do të dërgohen thjesht në kutinë postare të votuesve. Postieri do të tentojë të dorëzojë votën personalisht, duke kërkuar një mjet identifikimi nga votuesi.
Përdoret një procedurë që mund të përfshijë deri në 3 përpjekje për të arritur votuesit në adresat që ata kanë deklaruar.
Ky proces ka filluar dhe do të shqyrtohet më tej në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për miratim përfundimtar.