
Kristin Cabot, ish-drejtoresha e burimeve njerëzore (Chief People Officer) e kompanisë teknologjike Astronomer, ka folur publikisht për herë të parë pas videos virale që e përfshiu në një skandal gjatë një koncerti të Coldplay. Ajo rrëfen se pas atij momenti, jeta e saj profesionale dhe personale është shkatërruar, ndërsa abuzimi dhe kërcënimet nuk kanë pushuar kurrë.
Cabot, 53 vjeçe, u kap nga kamera gjigante e koncertit në Boston në korrik, duke përqafuar shefin e saj, Andy Byron, atëkohë CEO i kompanisë. Të dy u panë duke u tërhequr me nxitim nga kamera, ndërsa këngëtari i Coldplay, Chris Martin, komentoi para publikut: “Ose kanë një lidhje, ose janë shumë të turpshëm.” Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, u pa nga miliona njerëz dhe u kthye në një meme globale.
Pas publikimit të videos, Andy Byron dha dorëheqjen dhe kompania njoftoi nisjen e një hetimi të brendshëm. Edhe Cabot u largua nga detyra. Në një intervistë për The Times, ajo tregon se prej asaj kohe është përpjekur të gjejë një punë të re, por i është thënë se është “e papunësueshme”.
“U ktheva në një meme. Ishte sikur u bëra drejtoresha e HR-së më e urryer në histori,” shprehet ajo. “Interneti vazhdoi përpara, por për mua, gjithçka sapo kishte filluar.”
Në një intervistë tjetër për New York Times, Cabot mohoi se kishte pasur një marrëdhënie seksuale me Byron, duke sqaruar se ata nuk ishin puthur kurrë dhe se gjithçka kishte qenë një sjellje e gabuar nën ndikimin e alkoolit. Ajo pranoi se kishte pasur një simpati për shefin e saj, por theksoi se ka marrë përgjegjësinë e plotë, duke paguar çmimin me karrierën e saj.
Cabot tregon se pasojat kanë prekur edhe fëmijët e saj, të cilët ndihen të turpëruar dhe nuk duan që ajo t’i marrë nga shkolla apo të shfaqet në aktivitetet e tyre sportive. “Janë të zemëruar me mua dhe duhet ta pranoj këtë,” thotë ajo.
Ajo ngre gjithashtu pyetjen nëse ish-shefi i saj është përballur me të njëjtin nivel sulmesh. Sipas saj, si grua, ajo ka mbajtur peshën më të madhe të abuzimit publik. “Më quajtën ‘gold digger’, thanë se kisha fjetur për të arritur lart. Kam punuar gjithë jetën për të luftuar këto stereotipe dhe papritur u gjenda e përfshirë në to,” shprehet ajo.
Në kulmin e skandalit, pamja e saj fizike, trupi, fytyra dhe veshja u analizuan dhe u kritikuan publikisht, ndërsa edhe figura të njohura si Whoopi Goldberg u përfshinë në tallje. Madje, Gwyneth Paltrow, ish-bashkëshortja e Chris Martin, mori pjesë në një video promovuese me nota ironike për kompaninë Astronomer.
Kristin Cabot thotë se ka vendosur të flasë tani sepse, sipas saj, historia ende nuk ka mbaruar. “Nuk ka mbaruar për mua dhe nuk ka mbaruar për fëmijët e mi. Ngacmimet nuk kanë pushuar kurrë,” përfundon ajo.



