Tiranë, 16 maj 2025 – Kryeministri Edi Rama në fjalën hapëse të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë bëri thirrje për më shumë bashkëpunim dhe besim në vlerat themelore të paqes, duke theksuar se kontinenti po përballet sot me forca që kërcënojnë vetë themelet e tij.

Nuk ka moment më të mirë për të na kujtuar se përveç Europës së qëndresës, ekziston edhe një Europë tjetër – ajo e paqes, jo vetëm mes vetes, por edhe me ish-armiqtë tanë,” u shpreh Rama, duke theksuar se projekti europian është prova që edhe lumenjtë e gjakut mund të kthehen në rrugë paqeje.

Sipas kreut të qeverisë, Bashkimi Europian ka qenë një mësues historik për Ballkanin: “BE na mësoi që edhe ish-armiqtë mund të bëheshin bashkë. Ishte ajo Europë që na tregoi se, edhe në konfliktet më të tmerrshme, duhet të kemi besim te humanizmi.

Duke iu referuar historisë së rajonit, Rama theksoi se Ballkani e ka përjetuar luftën, rrënimin dhe kolapsin ekonomik, por edhe ka mësuar se “paqja nuk ka konkurrentë dhe bashkëpunimi nuk ka humbës.

Në një moment reflektimi dhe sfide ndaj të ardhmes së përbashkët, Rama theksoi: “Idealisti më i madh nuk jeton në Bruksel, por në Tiranë e Podgoricë.” Ai theksoi nevojën për një lloj të ri politike që shkon përtej ndarjeve dhe formaliteteve, drejt një bashkëjetese të thelluar ndërmjet vendeve dhe popujve.

Kryeministri i Shqipërisë propozon që Komuniteti Politik Europian të mos mbetet thjesht një platformë diskutimi, por të shndërrohet në një hapësirë konkrete bashkëpunimi në fusha si arsimi, shkenca dhe inovacioni. “Pse të mos imagjinojmë një KPE të arsimit, të shkencës, një aleancë përtej armatimit?” – tha ai, duke theksuar nevojën që vendet jo-anëtare të BE të mos mbeten në periferi, por të shndërrohen në kufij të rinj investimi dhe zhvillimi.

Në fund, Rama i bëri thirrje Europës të ofrojë të rinjve dhe bizneseve një arsye të fortë për të qëndruar në vendet e tyre, “një alternativë më tërheqëse se sa lufta dhe emigrimi.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu