TROPOJË, 4 maj 2025 — Në një miting  të Partisë Demokratike në Tropojë, këshilltari i njohur i strategut të fushatës Chris Lacivita, Philip Griffin, shfaqi mbështetje të fortë për opozitën shqiptare dhe veçanërisht për liderin historik të saj, Sali Berisha.

“Përshëndetje! Çfarë pjesëmarrjeje e mrekullueshme! Faleminderit! Së pari, ju sjell përshëndetjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” nisi fjalën e tij Griffin, duke theksuar interesin që SHBA-të kanë për Shqipërinë dhe për zgjedhjet vendimtare të 11 majit.

Griffin e quajti vendin “në një udhëkryq” historik, duke e krahasuar situatën politike në Shqipëri me atë në SHBA, ku sipas tij “socialistët u përpoqën të shkatërrojnë Donald Trump-in duke përdorur sistemin ligjor”. Ai paralajmëroi se të njëjtat marifete po përdoren edhe në Shqipëri, por theksoi me vendosmëri: “Nuk do të kenë sukses as këtu.”

Me tone entuziaste, këshilltari amerikan vlerësoi maksimalisht përkushtimin e ish-kryeministrit Berisha: “Jam në politikë prej 20 vitesh. Nuk kam njohur asnjë politikan që ka punuar më shumë se Dr. Berisha.” Por Griffin theksoi se sfida kërkon angazhimin e të gjithëve, duke i bërë thirrje qytetarëve që të mobilizohen dhe të votojnë masivisht.

“Shikoni njëri-tjetrin në sy dhe bëjini vetes pyetjen: A do ta bëjmë historinë së bashku? Përgjigjja ime është: Po, ne do të bëjmë histori,” përfundoi ai, duke brohoritur së bashku me pjesëmarrësit “Fitore, Fitore, Fitore!”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu